Ka ndodhur

Vodhën 8 kompjutera në gjimnazin e fshatit, arrestohen dy persona në Malësi të Madhe

Gazeta Si- Policia ka zbardhur një vjedhje të kryer më 5 dhjetor të vitit të shkuar në Malësi të Madhe, ku në një gjimnaz të zonës janë marrë disa pajisje kompjuterike.

Sipas policisë, në pranga janë vënë dy të rinj, njëri në “arrest shtëpie” për transport ilegal emigrantësh dhe tjetri me masë sigurie për prodhim e shitje narkotikësh.

Mësohet se të rinjtë duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 8 pajisje kompjuterike në gjimnazin e fshatit Gruemirë. Por jo vetëm kaq, 25 vjeçari ka vjedhur edhe instalime elektrike e pajisje në një banesë.

Policia tha se 25-vjeçar E.M., banues nga fshati Grudë Malësi e Madhe kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, për të kryer vjedhjen e 8 pajisjeve kompjuterike në këtë gjimnaz, si dhe për të vjedhur më datë 23.01.2024, instalime elektrike dhe pajisje në banesën e shtetasit I. A., në fshatin Grudë.

Gjithashtu, u referuan materialet procedurale shtesë për shtetasin P. K., 23 vjeç, banues në fshatin Gruemirë, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin E. M., për të kryer vjedhjen në gjimnazin e këtij fshati. Aktualisht, shtetasi P. K. është në IEVP Lezhë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë