Ka ndodhur

Vlorë, një 39-vjeçar nga Kosova u mbajt peng për 70 mijë euro për pazare droge!

Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar në Vlorë, nën dyshimin se që prej datës 28 nëntor të këtij viti kishin mbajtur peng në një apartament, një shqiptar të Kosovës, Fisnik Xhaka, të cilit i kishin kërkuar 70 mijë euro në këmbim të lirisë për pazaret e prishura të drogës.

Policia tha se në pranga kanë rënë: J.Z., 25 vjeç, O.Ç., 18 vjeç dhe V.A., 35 vjeç, të tre banues në Vlorë. Të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë dhunuar shqiptarin nga Mitrovica, duke e mbajtur të mbyllur në një apartament, ku i kërkonin shumën e majme në këmbim të lirimit.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, Xhaka kishte dalë garant tek 3 pengmarrësit që disa persona në Europë te merrnin një sasi droge me vlerë 70 mijë euro për ta paguar këtë shumë më vonë.

Pagesa nuk është bërë dhe 3 personat e arrestuar e kanë marrë peng, duke i kërkuar 70 mijë eurot për të cilat ai kishte dalë garant. Por Xhaka nuk ka pranuar që të bashkëpunojë me policinë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, në zotërim të njërit prej të arrestuarve J. Z., u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe një radio marrëse-dhënëse e ngjashme me ato të Policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë