Drejtësia

Vlorë, lirohet autori i dyshuar i vrasjes së dy vëllezërve në vitin 1998. Familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi

Gazeta Si – Pak ditë ekstradimit nga Italia, pasi ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve Beqir dhe Elmaz Hasho para 22 vjetësh në Vlorë, Gerti Selimaj është liruar nga gjykata, e cila ka vendosur si masë sigurie “arrest shtëpie”.

Në mars, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, konkretisht, gjyqtarja Vjola Canaj, ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’, duke shuar masën ‘arrest me burg’.

“Lidhur me kërkesën për caktimin e masës së sigurimit, gjykata çmon se me aktet e ndodhura në dosjen hetimore, del se masa e sigurimit për këtë të dyshuar, është jo ajo e kërkuar nga prokuroria, pra arrest në burg, por ajo e arrestit në shtëpi parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se ekzistojnë kushtet dhe kriteret”, – thuhet në arsyetimin e gjyqtares.

Pikërisht vendimi i Gjykatës së Vlorës ka sjellë edhe reagimin e familjarëve të dy vëllezërve të vrarë, duke kundërshtuar zbutjen e masës për 47-vjeçarin.

Mimoza Hasho, bashkëshortja e një prej viktimave, bën apel që Selimaj të kthehet përsëri në burg dhe të zbardhet ngjarja. Edhe Xhuliano Hasho, djali i një prej viktimave kërkon drejtësi.

“Viola Canaj, gjykatësja e ka lënë në arrest shtëpie. Pyetja ime është kjo, pas 24 vjetësh që ne kërkojmë drejtësi, ku është drejtësia? Jam munduar si nënë për të mos bërë hakmarrje. Kam bërë punën time që fëmijët, kur ishin adoleshentë të kujdesesha mos vepronin për hakmarrje. Thosha drejtësia do bëjë punën e saj, do vijë ora e drejtësisë. Besoja te drejtësia dhe i lutem e ja kam lënë në dorë të zbardhet çështja. Mos na vrisni për herë të dytë”, tha Hasho.

Më tej, bashkëshortja e Beqir Hashos, tregon si ndodhi ngjarja e rëndë.

“Atë ditë ishim ngritur me vajzën të sëmurë, kishim shkuar në spital. Morëm ilaçet dhe shkuam në shtëpi. Pas pak vjen Elmazi për të pyetur për vajzën. Hëngrëm bukë dhe Elmazi do ikte në shtëpi. Shkoi për të marrë makinën, por u kthye sërish dhe kërkoi Beqirin, i tha nuk më ndizet makina. Doli Beqiri dhe për punë 10 minutash ishte bërë gjithë veprimi, vrasja e të dy vëllezërve”, tha  Hasho.

Selimaj u arrestua më 12 mars në Itali, ku u kap në një apartament në zonën e Martina Franca për llogari të drejtësisë shqiptare, 22 vite pas vrasjes së dy vëllezërve Beqir dhe Elmaz Hasho.

Një muaj më parë, policia shqiptare bëri të mundur zbardhjen vrasjes së dy vëllezërve Beqir dhe Elmaz Hasho, ndërsa Selimaj  u shpall në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë caktoi masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Konflikti mes Gerti Selimajt dhe vëllezërve Hasho ndodhi në 22 nëntor 1998 në lagjen “Pavarësia” të Vlorës. Pak ditë më parë, një i afërm i Gerti Selimajt, mbeti i plagosur në vitin 1998 në Vlorë.

Dy vëllezërit Hasho e dërguan në spital, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten edhe sot të paqarta. I afërmi i të plagosurit, Gerti Selimaj iu kërkoi llogari vëllezërve mbi një armë që ishte zhdukur nga vendngjarja.

Mes tyre ndodhi edhe një përplasje në spital, konflikt i cili pak ditë më vonë, agravoi me vrasjen e dy vëllezërve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë