Ka ndodhur

Vlorë, 33-vjeçarit i gjenden në banesë 39 mijë euro dhe pistoleta e mbushur

Gazeta Si – Gjatë një aksioni të FNSH-së në Vlorë, është sekuestruar një pistoletë dhe 39 mijë euro në banesën e Rodrigo Shemshos, i cili është shpallur në kërkim.

Arma e zjarrit ishte gati për qitje dhe u gjet në banesën e 33-vjeçarit, i cili dyshohet se është pjesëtar i një grupi kriminal në Vlorë në fushën e krimeve të rënda kundër personit.

“Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit në banesën e pjesëtarit të një grupi kriminal me veprimtari në fushën e krimeve të rënda kundër personit, në lagjen “Pavarësia”, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, municion luftarak dhe shumën 39 000 euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtaria e këtij grupi kriminal”, – njoftoi policia.

Rodrigo Shemsho, banues në Vlorë, akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë