Gazeta Si – Një 29-vjeçar u plagos me armë zjarri mbrëmjen e të dielës në ambientet e një karburanti (bar), në Orikum të Vlorës.
Sipas asaj që njofton policia, i plagosur ka mbetur Sildi.V., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
I plagosuri është dërguar drejt spitalit të Traumës për mjekim më të specializuar. Autori i ngjarjes dyshohet të jetë Qerim Bello, ku ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Sipas asaj që raportohet nga burime, ndaj 29-vjeçarit dyshohet se është qëlluar 10 herë me armë, ku 3 plumba kanë prekur shënjestrën.
Policia bën me dije se në ngjarje kanë marrë pjesë dy persona, njëri prej tyre autori i ngjarjes, ndërsa personi i dytë mendohet se ka qenë drejtuesi i mjetit, i cili ka ndihmuar Qerim Bellon të largohet nga vendi i ngjarjes.
Në fillim, automjeti tip “Golf 5” i autorit është ndalur. Autori e ka thirrur jashtë lokalit dhe e ka qëlluar me armë disa herë. Pastaj kanë hipur në makinë teksa kanë qëlluar sërish me armë.
Të rinjtë mësohet se kanë pasur edhe disa ditë më parë konflikt, duke u zënë për motive të dobëta. Konflikti edhe asaj kohe ka agravuar në shkelma dhe grushte. Policia mësohet se kishte pasur njoftim për konfliktin.
Kjo ka qenë një ngjarje e paralajmëruar, pasi është marrë procedim penal edhe në stacionin policor Orikum, por nuk është marrë asnjë masë për shuarjen e konfliktit apo parandalimin e kësaj ngjarjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.