Gazeta Si – Dy persona janë vënë në pranga në Vlorë, pasi akuzohen për vjedhjen me dhunë të disa mjeteve motorike në Veri të Italisë.
Sipas policisë ata do të ekstradohen drejt shtetit fqinj për llogari të drejtësisë italiane.
Bëhet fjalë për një opreacion të përbashkët që ka vijuar në të njëjtën kohë në Itali, Shqipëri, Zvicër, Slloveni, Francë dhe Belgjikë, si dhe u koordinua nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion.
Në total gjatë këtij operacioni, në Itali dhe në Shqipëri, janë arrestuar 14 shtetas dhe për 3 shtetas të tjerë është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në kuadër të këtij operacioni të zhvilluar në Vlorë, u kapën dhe u vunë në pranga 2 shtetasit e kërkuar ndërkombëtarisht, autorë të dyshuar për vjedhjen me dhunë të 10 mjeteve motorike në Itali, konkretisht: Eduard Alikaj., 51 vjeç, banues në Vlorë dhe Fetah Shametaj., 28 vjeç, banues në Vlorë.
Shtetasit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Torinos, me vendimin e datës 04.05.2023, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet që këta shtetas përdornin, në fshatin Babicë, u gjetën dhe u sekuestruan 1 mjet ekskavator i dyshuar i vjedhur, 1 mjet kamion, brenda të cilit është gjetur 1 mjet lundrues gomone me gjatësi rreth 13 metra, me 3 motorë (marka “Yamaha”), me fuqi 415 KF, që dyshohet se mund të përdorej për ngjarje kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



