Gazeta Si – Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë zonën e Shashicës në Vlorë pasditen e kësaj të diele, më 20 korrik.
Në vendngjarje ndodhen mjetet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të vënë situatën nën kontroll. Megjithatë rreziku për përhapje të mëtejshme është i lartë për shkak të temperaturave të larta.
Kjo nuk është vatra e vetme shqetësuese e zjarrit në zonë, pasi edhe në Dukat po bëhet një luftë një javore për mbajtjen nën kontroll të flakëve, që kanë vënë në rrezik Parkun e Llogarasë.
Vatra e zjarrit, që fillimisht nisi më shumë se 1 vit më parë, është riaktivizuar të shtunën pasi ishte fikur dy ditë më parë. Për shkak të terrenit të vështirë malor, u desh ndërhyrja nga ajri për të mbajtur nën kontroll flakët.
Më herët ishte atje ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili tha se atje mbi 80 efektivë janë angazhuar në vijë të parë, nga toka dhe ajri.
Ai theksoi se është e rëndësishme të mund të parandalohet kalimi i këtij fronti zjarri në anën tjetër të Parkut të Llogarasë, duke shtuar se “Do jenë orë të vështira për efekt jo vetëm të termometrit por edhe të erërave të forta që ka zona, ndaj duhet të ruajmë vigjilencën maksimale”.
Konkretisht, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë konstatuar 32 vatra zjarri 24 orët e fundit në vend, nga të cilat 9 mbeten aktive.
Vijojnë flakët te “Liqeni i Luleve”, në Parkun Kombëtar të Lurës, në “Livadhin e Peladhisë” në Bulqizë, në Zall Gjoçaj të Matit, në Dolovan të Dibrës, në fshatin fshatin Belishovë të Mallakastrës, në Beçisht të Tepelenës, në Shkopet ku janë djegur disa hektarë tokë dhe në në kufirin mes fshatrave Shmil dhe Gurakuq, të Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



