Futboll

Vllaznia zyrtarizon largimin e Sedloskit, emrat e kandidatëve për stolin

Gazeta Si – Vllaznia ka mbyllur zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin maqedonas, Goce Sedloski. Ashtu siç pritej, klubi shkodran ka njoftuar në faqen e tij largimin e trajnerit që zuri vendin e Mirel Josës në muajt e fundit.

Në njoftimin e klubit shkruhet se Sedloskit i ka përfunduar kontrata, por më shumë mundësi drejtuesit e Vllaznisë nuk janë bindur nga puna e këtij trajneri. Me shumë vështirësi skuadra shkodrane siguroi vendin e katërt, që e çon në kupat e Europës.

Tomas Berdariç, kandidat për stoline Vllaznisë. Gazeta Si, 31 maj 2023

Tani klubi është vënë në kërkim të trajnerit të ri dhe mes emrave të kandidatëve janë Tomas Bërdariç dhe Ardian Nuhiu. Bërdariç e njeh mirë ambientin, sepse e ka drejtuar Vllazninë pak kohë më parë, madje duke propozuar një futboll simpatik, ashtu siç në Shkodër e duan.

Kandidati tjetër i deritanishëm, Ardian Nuhiu, shihet si një alternativë e mirë. Ai ka drejtuar Shkupin në Maqedoninë e Veriut dhe Dritën në Kosovë, të cilën e ka shpallur kampione. Mund të ketë edhe ndonjë emër surprizë, duhet pritur vendimi i drejtuesve për ‘timonierin’ e ri të Vllaznisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë