Futboll

Vllaznia zhgënjen në Rumani, edhe Laçi eliminohet me goleadë

Gazeta Si – Vllaznia dhe Laçi lajnë duart me Europën. Pas Partizanit, edhe këto dy skuadra janë eliminuar nga Liga e Konferencës. I justifikuar është vetëm Laçi, që kaloi një tur, edhe pse eliminimi nga një klub moldav dhemb.

Euforia që kishte pushtuar shkodranët pas barazimit 1-1 në Shkodër ia la sot vendin një humbjeje të thellë në Rumani. Vllaznia u mund 3-0 nga Universitatea e Kraiovës, duke e mbellur shpejt aventurën europiane.

Rezultati finale i ndeshjes në Rumani. Gazeta Si, 28 korrik 2022

Skuadra e Mirel Josës, i cili kishte bërë disa ndryshime, rezistoi vetëm një pjesë loje. Në të dytën rumunët zhbllokuan shifrat me një gjuajtje të bukur nga distanca dhe më pas thelluan rezultatin në 3-0. Asgjë për t’u mbajtur mend nga ekipi shkodran.

Laçi, ndryshe nga Vllaznia, kaloi në avantazh me të zakonshmin Mazrekaj, por hodhi gjithçka në erë në pjesën e dytë. Moldavët e Petrokub shënuan plot 4 herë në portën e kurbinasve.

Fillimisht një autogol ktheu baraspeshën, më pas Laçi u ndëshkua edhe tri herë të tjera, duke i dhënë fund kështu rrugëtimit në Europë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë