Futboll

Vllaznia largon Migen Memellin, trajneri shigjetoi lojtarët si ‘brezi i Instagramit’

Gazeta Si – Migen Memelli nuk është më trajner i Vllaznisë. Klubi shkodran dhe trajneri pogradecar kanë mbyllur zyrtarisht marrëveshjen me mirëkuptim, por kuptohet që në këtë vendim peshojnë rezultatet e dobëta të Vllaznisë, që së fundi humbi në Kukës.

“Klubi i Futbollit Vllaznia njofton ndërprerjen me mirëkuptim të marrëveshjes me trajnerin Migen Memelli. Falenderojmë trajnerin për gjithë kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe nën drejtimin e Vllaznisë. Pavarësisht pozicionit jo të mirë të ekipit tonë, vlerësojmë maksimalisht përpjekjet, ndershmërinë, integritetin e trajnerit Memelli dhe i urojmë suksese në karrierën e tij”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit shkodran.

Pas humbjes me Kukësin trajneri Memelli mori vëmendje me një deklaratë të tij, ku shigjetonte lojtarët, duke i quajtur ata si ‘brezi i Instagramit’, çka nënkuptonte se nuk e kanë mendjen te futbollit, por te rrjetet sociale.

Dy ditë pas asaj humbjeje dhe asaj deklarate vjen edhe largimi i Memellit nga Vllaznia. Ai e mori drejtimin e kësaj skuadre në verë dhe pas 10 ndeshjesh e lë në vend të 6-të me 13 pikë. Shkodranët kanë 3 humbje në 5 javët e fundit. Trajneri i ri pritet të emërohet së shpejti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë