Situata te Vllaznia vazhdon të jetë e nderë edhe pse shpresat kanë qenë të mëdha. Vullneti për t’i dhënë zgjidhje situatës me kaosin financiar duket se mungon në Shkodër, ndonëse të gjithë kanë pasur besimin se çështja e borxhit me tatimet do të zgjidhej. Edhe pse ekipi po zhvillon një sezon shumë të mirë dhe kryeson Kategorinë Superiore, ndodhet në rrugën e duhur për t’u rikthyer në kompeticionet evropiane pas një kohe të gjatë, por licencimi i klubit kuqeblu është në rrezik.
Bashkia e Shkodrës nuk arriti që të zgjidhë hallin më të madh që ka futbolli shkodran aktualisht, atë të licencimit për shlyerjen e borxhit prej 820 milion lekësh, në mënyrë që të mbyllen detyrimet e prapambetura për sigurimet dhe tatimet. Në rendin e ditës së mbledhjes të zhvilluar online, një nga pikat e propozuara për shqyrtim dhe miratim, ishte alokimi i një fondi rreth 82 milion lekë për të paguar detyrimet e prapambetura të KF Vllaznia sh.a., sigurime shoqërore dhe detyrime tatimore. Paratë ishin të garantuara nga vetë Bashkia dhe pritej vetëm miratimi i Këshillit Bashkiak. 33 këshilltarë, në unison, vendosën që kjo pikë të mos futej fare në rendin e ditës dhe jo më të diskutohej e miratohej. FSHF pret dokumentacionin e plotësuar nga klubi shkodran deri më 31 mars, por pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak, në Shkodër komplikohet situate, ndërsa ditët po kalojnë dhe Vllaznia duket se e ka edhe më të vështirë situatën me licencimin.
Edhe pse situata mund të ndryshojë nga momenti në moment, me këtë vendim me shumë mundësi gara është kompromentuar. Nuk ka rëndësi nëse Vllaznia fiton kampionatin apo kualifikohet në kupat e Europës. Tifozët nuk kanë nevojë të presin përfundimin e Supërligës dhe as ndeshjet e mbetura të Kupës: Vllaznia është me një këmbë jashtë Europës së futbollit për shkak të një vendimmarrje të Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Pas shumë vitesh rezultatesh zhgënjyese dhe pikërisht atëherë kur u duk se në qytetin që jeton me futbollin, po rikthehej buzëqeshja, ekipi pengohet nga vetë “pronari”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




