Gazeta Si – Nisi në mënyrën më të keqe ndeshja mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, me atë incident në tribunë ndaj presidentit të ekipit vendës, Ardjan Takaj. Dhe vazhdoi keq edhe në fushë për korçarët, ndërsa Vllaznia ka dalë me një trepikësh shumë të rëndësishëm nga kjo transfertë.
Skënderbeu mbeti me 10 lojtarë që në pjesën e parë, pasi mbrojtësi Prençi u ndëshkua me karton të kuq për një faull si lojtari i fundit. Megjithatë, skuadra e trajnerit Gvozdenoviç rezistoi deri 6 minuta para fundit të kohës së rregullt pa pësuar gol.

Në këtë moment Skënderbeu ndëshkoi veten me autogolin e Dumfur si për të kompletuar mbrëmjen e tersit. Në minutën e 5-të shtesë Vllaznia shënoi me Delajn, i cili vulosi rezultatin në 0-2. Me këtë fitore shkodranët i kanë parakaluar korçarët, duke u ngjitur në vend të 5-të. Të dyja skuadrat kanë nga 12 pikë, por fitorja në ndeshjen direkt i jep të drejtë Vllaznisë të jetë përpara.
Java e 9-të e Superiores, e fundit për fazën e parë, vazhdon të dielën me ndeshjet Kukësi-Laçi dhe Dinamo-Teuta, për t’u mbyllur të hënën me Tirana-Egnatia dhe Erzeni-Partizani. Renditjen e kryeson Egnatia me 16 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




