Gazeta Si – Vllaznia dhe Skënderbeu janë skuadrat që kanë marrë dy fitoret e para të kampionatit të 85-të të Superiores. Shkodranët mundën 3-1 Kukësin në ‘Loro Boriçi’, ndërsa Skënderbeu disa orë më parë kishte bërë surprizën me fitoren 0-1 ndaj Egnatias në Rrogozhinë.
Vllaznia e dominoi ndeshjen me Kukësin, edhe pse miqtë, të organizuar me vështirësi për këtë sezon, paraqitën një nivel të kënaqshëm. Stojanoviç shënoi golin e parë në stadiumin ‘Loro Boriçi’, Kukësi arriti të barazonte, por Balaj me penallti riktheu shkodranët në avantazh.

Boshnjaku shënoi edhe golin e 3-të për skuadrën e trajnerit Memelli sapo nisi pjesa e dytë. Më pas vlen të përmenden një gol i anuluar i Kukësit për pozicion jashtë loje, si dhe një shtyllë e Esat Malës, një nga më të mirët në fushë. Shkodranët i gëzohen 3-pikëshit të parë në kampionat.
Në Rrogozhinë pritej fitorja e Egnatias, por në fund kanë festuar korçarët. Braziliani Juri realizoi golin e parë të kampionatit, që u dha korçarëve një fitore të çmuar në një fushë shumë të vështirë. Egnatia shpërdoroi shumë raste, në një moment nuk pati fat, sepse u ndal nga shtylla. Skënderbeu i rikthyer në Superiore godet që në javën e parë.
Java e parë vazhdon të dielën me dy ndeshjet Laci-Erzeni dhe derbin Dinamo-Tirana.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




