Futboll

Vllaznia bën prapakthehu, rikthen trajnerin Brdaric

Thomas Brdaric është akoma trajneri i Vllaznisë dhe konfirmimi vjen nga brenda klubit. Sponsori Alban Xhaferi deklaroi se është ulur me teknikun gjerman për të qartësuar pozicionin e tij.

“Kishim një presion te madh nga opinioni pas shkarkimit dhe vendosëm që të gjithë bashkë ta rikthejmë trajnerin. Edhe lojtarët na e kërkuan dhe pasi u menduam sërish pas shkarkimit vendosëm ta rikthejmë. Shpresojmë që të mësojmë nga gabimet dhe te përmirësohemi”, deklaroi Xhaferi.

Gjatë 5 ndeshjeve të fundit të kampionatit, Vllaznia ka marrë vetëm 2 pikë nga 15 të mundshme, me 3 humbje dhe 2 barazime, ku nga +7 pikë para vendit të dytë që ishin para disa javësh, tani rrezikojnë jo vetëm të humbin kreun e klasifikimit, por edhe zonën europiane.

Bërdariç e mori drejtimin e Vllaznisë në verë dhe i befasoi të gjithë me atë ecuri në gjysmën e parë të kampionatit. Shkarkimi i gjerman shkaktoi indinjimin e shumë tifozëve shkodranë, që kanë nxituar ti japin mbështetjen gjermanit, të cilit i njohin meritën e shndërrimit të një skuadre që luftonte për mbijetesë, në një skuadër pretendente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë