Nga Gazeta ‘Si’- Ministri i Financave, Ervin Mete duke marrë shkas nga vlerësimi më i fundit i Shqipërisë nga agjencia Standard&Poor’s, ka shpjeguar procesin që ka çuar në këtë rezultat dhe përfitimet e mundshme për Shqipërinë.
Në një konferencë për shtyp ai u shpreh se agjencitë ndërkombëtare si S&P vlerësojnë aftësinë kreditore të vendeve të caktuara, që do të thotë se ato vlerësojnë se sa gjasa ka një vend për të shlyer borxhet e tij.
Sipas tij një nga faktorët që ka çuar në këtë rezultat është ulja e papunësisë që është në nivelet më të ulëta, ndërsa investimet e huaja vazhdojnë të rriten me ritme të shpejta.
“Rritja ekonomike ka mbetur e qëndrueshme dhe relativisht e lartë, afro 4% në terma vjetorë, pavarësisht vështirësive që po has ekonomia botërore. Inflacioni u rikthye në trend ulës brenda një kohe relativisht të shkurtër, duke arritur në 4% në muajin gusht 2023. Papunësia ka arritur nivelet më të ulëta historike, prej 10.7% në fund të tremujorit të dytë të këtij viti, ndërkohë që pjesëmarrja në tregun e punës është përmirësuar ndjeshëm”tha ai ndërsa shtoi se turizmi ka patur një zgjerim të jazhtëzakonshëm që kërkon një ndjekje të dedikuar sa i përket përmirësimit të kapaciteteve pritëse dhe shërbimeve të lidhura me industrinë mbështetëse të këtij sektori.
Mete shtoi se vlerësimi i S&P është pasqyrë e politikave ekonomike, menaxhimit të kujdesshëm fiskal dhe përpjekjeve pozitive në zbatimin e reformave strukturore dhe procesin e integrimit evropian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



