Muzike

Vlashent Sata, Zâni që e thërret n’Theth

Photo Courtesy: Blerta Kambo

Nga Suadela Balliu - Shtëpia, rrënjët, fëmijëria duket se e thërrasin siç Orët ndjellin kreshnikët e Bjeshkëve dhe Vlashent Sata di veç t’i bindet atij tingulli gurgullues, melodi hyjnore e instrumenteve të natyrës. Edhe këtë vit, siç kishte premtuar, e solli festivalin që ul bashkë këmbëkryq legjendat, poezinë, muzikën, kinemanë dhe kundruesit që si rrallë kanë të gjithë një vend të privilegjuar për të shijuar spektaklin.

“Ai festival ishte magji. Kam parë shumë festivale në botë, kam parë edhe edicionin e parë vjet që ishte po aq magji”, rrëfen kantautori, i cili është njëherazi edhe ideator dhe drejtor i “Zâ Fest” , festivali që ngjall atë lidhje të humbur të njerëzve me natyrën...

Nga edicioni i kaluar, këtë vit, rrëfen Vlashent Sata, njerëzit janë shtuar. Po ashtu është shtrirë edhe zona ku mbahet festivali, në sheshin përballë Kishës së Thethit.  

Kisha e Thethit 

“Njerëzit janë prekur, janë mbushur plot dhe, emocione me atë lloj cilësie nuk para i gjen në Shqipëri.” – vijon Sata, i cili edhe pse karrierën  muzikore e ka të vendosur në Paris, albumin e tij të parë “Hana” e shkroi dhe këndoi të gjithin në gegnisht, duke e prezantuar dialektin shqip në disa koncerte në Europë.

Edicioni i dytë i këtij festivali, të cilin Sata e nisi fillimisht me idenë e një koncerti që do të zgjonte ndjeshmërinë e vendasve dhe turistëve (veçanërisht shqiptarë thotë ai) , mbi problematikën e plehrave që pas një ekskursioni të bukur linin një plagë në bukuritë thuajse të pacenuara natyrore, bëri bashkë zhanre aq të pangjashme të muzikës sa në raste të tjera zor se do i shijoje në të njëjtin vend, të të njëjtën natë.

 Vlashent Sata, ideator dhe drejtor i  Zâ Fest

Duoja italo-shqiptare Redi Hasa dhe Maria Marzzotta, këngëtarja nga Kosova me karrierë në Berlin Andrra, banda nga Prishtina Oborri dhe kantautorja e instrumentistja që ka nisur karrierën muzikore në Paris Linda Rukaj performuan në dy net live, ndërsa jo vetëm natyra,  por edhe kisha e ritit të krishterë katolik aty pranë i jepnin atmosferë elementë gati hyjnorë.

Kantautorja dhe instrumentisja Linda Rukaj

“Pjesëmarrja në Zâ Fest ishte e veçantë për të gjithë grupin. Alpet shqiptare janë shumë të bukura e unë nuk kam qenë në Theth më parë”, rrëfen përvojën e saj këngëtarja nga Kosova Fatime Kosumi, e njohur me emrin e artit Andrra, e cila vlerëson nismën që respekton natyrën dhe banorët vendas. “Përjetimi i performancave të ndryshme bëhet edhe më i veçantë, sepse vendi ku ndodhin i pasuron edhe më me magji.”, përfundon Andrra, e cila mori pjesë në këtë edicion të dytë e shoqëruar nga banda e saj.

Andrra duke performuar në Zâ Fest

Një repertor i pafundmë, ritmesh, notash dhe vokalesh që kanë aftësinë të përthyejnë çfarëdolloj barriere kulturore. Artistët thotë, Sata, edhe këtë vit ashtu si vitin e kaluar kur atij iu bashkuan Elina Duni, Shpat Deda dhe aktori Arben Bajraktari, ishte përzgjedhje e gjetur. “Festivali mblodhi këto ngjyra të ndryshme dhe këto rryma të ndara dhe i bëri bashkë dhe kjo ishte shumë e bukur.” – thotë Sata.

Duoja Hasa-Marzzotta

Në një vend legjendash nuk mund të mungonin rrëfenjat, që erdhën të interpretuara nga regjisorja dhe aktorja Ema Andrea. Copëza këto që e bënin tablonë e një mbretërie magjike më të plotë, ndërsa pjesëmarrësit duhet vetëm të shijonin për të udhëtuar drejt kësaj bote jo më imagjinare, por shumë të prekshme.

Grupi nga Prishtina "Oborri"

 “Natën e parë kishim Ema Andrean me poezi, ndërsa Linda Rukaj e shoqëroi me zë dhe kitarë. Unë, improvizova diçka në piano, një performancë krejt të re”, rrëfen Sata, ndërsa shton se të luash muzikë mes maleve “është perlë!” .

Ema Andrea , ndërsa rrëfen legjenda shqiptare

Festivali kishte të përfshirë në programin dy ditor edhe shfaqjen e një filmi dokumentar, pjesë e “DokuFEST”. Një kinema në njëmijë metra lartësi, e cilëson ideatori i festivalit.

“Duket sikur malet ulen, të dëgjojnë dhe tregojnë, nëpërmjet gishtave të tu, ndjesitë e veta. Je në raport edhe me natyrën edhe me njeriun, i cili nga ana e tij krijon një tjetër marrëdhënie mes teje dhe muzikës.”

Tashmë festivali, është i bindur Sata, mbështetur edhe nga çfarë i thonë njerëzit që e kanë ndjekur nga afër, por edhe ata që nuk kanë pasur mundësi të shkojnë por kanë dëgjuar rreth aktivitetit, e ka krijuar markën e vet. “ Them se është festivali më i veçantë që ka në Shqipëri sepse vlera i është kthyer identitetit.”Përrallat dhe legjendat që rrëfeu Ema Andrea, sipas kantautorit oshtinë dhe sollënatmosferë të ngrohtë. “Ishte sikur  gjyshi i rrëfen nipit në djep historitë tona. “Dhe të gjitha këto kanë të bëjnë me tipologjinë që kemi si shqiptarë, si njerëz.”

Sesione Joga në Theth

Jo vetëm muzikë dhe rrëfenja, por ky edicion kishte të parashikuar edhe shëtitjet në atraksionet natyrore të Thethit, si Ndërlysat, Ujëvara e Grunasit, Syri i Kaltër e po ashtu sesione joga për të pasionuarit pas meditimit në natyrë...

Nisma e lavdërueshme nga shumë, i ka pasur edhe problematikat e veta dhe shumë lodhje nga pas, zbulon Sata, “Por me ata që na kanë mbështetur e kemi ndjerë veten shumë mirë. Arti është i rëndësishëm, po ashtu turizmi dhe natyra. Jemi munduar të kujdesemi për ta ruajtur natyrën, të mos hidheshin mbetjet, të mos kishte zjarre...” Nuk do ia dilte vetëm, pranon, ndërsa zbulon ata që e përkrahën idenë e tij, edhe këtë vit si agjencia "Pik Creative", e cila u mor me organizimin e me të cilën kantautori bashkëpunon thuajse në çdo projekt të tijin në Shqipëri. Po ashtu edhe shumë institucione shtetërore ishin pjesë e mbështetësve si; Bashkia Shkodër, Ministria e Kulturës, Ministria për  Evropën dhe  Punët e Jashtme, Ministria  e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, Përfaqësia e BE-së në Shqipëri, Bashkëpunimi Gjerman, GiZ, Telecom,  Albanian lightning and sound dhe  Mektrin Motors.

Edicioni i dytë i Za Fest

Megjithatë, vijon ai, ka parë edhe keqdashje nga njerëz që sipas tij ankohen me qëllimin e vetëm sepse duan ta ngatërrojnë festivalin me politikë. “Mbase për arsye sulmesh politike, nuk e di! Festivali është shumë politik ,sepse e tejkalon politikën’ me dy pare’ që bëhet në Shqipëri dhe,  të gjithë politikanët që ndoshta mund të kenë qenë pjesëmarrës kanë vendin e tyre si njerëz të thjeshtë” – thekson Sata, ndërsa shton se festivali ka krijuar një tjetër nivel komunikimi me njerëzit. “Kjo është veçantia, ruajtja e vlerave njerëzore.”

E pranishme në këtë aktivitet ka qenë edhe ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin për të shijuar natyrën dhe muzikën që kjo ngjarje ofroi për dy net dhe tri ditë.

Në Theth, Ambasadorja Vlahutin u takua edhe me banorët vendas për të diskutuar rreth zhvillimit të industrisë së turizmit të zonës. “Zâ Fest” nuk ishte i vetmi aktivitet ku Vlashent Sata do të përfshihet këtë verë. Çdo vit, ai besnikërisht kthehet në Shqipëri për t’i ardhur publikut me koncerte.

“Në fundjavë do të luaj muzikë në Jalë, pastaj do të luaj në Tiranë, megjithëse datën nuk e kam vendosur ende”, thotë ai. Pas pushimeve shqiptare, i rikthehet aktiviteteve në Paris dhe vjeshta do e gjejë në koncerte në Gjermani, Zvicër dhe me shumë gjasa edhe në Nju Jork. Zbulon se ka nisur punën edhe për një album të ri muzikor, edhe pse aktualisht ka punuar për disa projekte paralelisht.

Ai çka nisi si koncert bamirësie në Thethin magjik ku e thërrasin rrënjët shkodrane, tashmë është i bindur Sata do të kthehet në një traditë të përvitshme të një festivali që zgjon kulturën shqiptare siç tingujt zgjojnë nga gjumi zanat e orët e maleve...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë