Kosova

Vjosa Osmani thirrje për pranimin e afganëve: Edhe unë kam qënë dikur refugjate

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje sot komunitetit ndërkombëtar të solidarizohet me emigrantët afganë, duke kujtuar në një intervistë për rrjetin britanik “BBC” se edhe vetë ajo ka qenë refugjate.

“Janë skena që ta thyejnë zemrën. Edhe unë kam qenë refugjate dhe e ndjejmë këtë çdo ditë”, tha Osmani.

Pas deklaratave se Kosova është përgatitur që një muaj për ardhjen e afganëve, Osmani ka thënë se informatat kishin ardhur më herët nga SHBA-ja dhe punonjësit e ushtrisë amerikane në Afganistan.

“Por ne jemi të gatshëm dhe e treguam këtë gatishmëri pa hezitim. Numri i saktë është ende duke u diskutuar, por ne nuk mund të jemi vendi që i themi jo këtyre refugjatëve, këtyre njerëzve në nevojë kur ne kemi hapësirën  për t’i strehuar ata”.

“Në fillim menduam se ata do të vinin për dy javë dhe se mund të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur. Brenda dy-tri ditëve do të merret vesh edhe për datën e saktë se kur do të vijnë refugjatët  e parë në Kosovë” ka thënë presidentja.

Më tej, Osmani ka theksuar se është e gatshme të ndihmojë edhe si shtet tranzit për refugjatët afganë.

Ajo u ndal edhe tek historia e Kosovës dhe çlirimi nga Serbia.

“Nëse ne nuk punojmë së bashku nuk do të jemi në gjendje të korrim sukses. Edhe në rastin e Kosovës u tregua kjo. Vetëm kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe anëtarët e tjerë të NATO-s punuan bashku, hodhën poshtë regjimin e Millosheviçit dhe sollën paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor, ” theksoi ajo.

Osmani po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha qeverive demokratike që t’ia zgjasin dorën afganëve njësoj siç ia zgjatën Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë