Në vizitën e parë si ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani i ka bërë thirrje Shqipërisë të jetë zëri i Kosovës në organizatat ndërkombëtare ndërkohë që Serbia po mundohet të shtrembërojë të vërtetën e luftës dhe gjenocidit në Kosovë.
Osmani ka nisur një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, teksa është pritur në takim nga Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe më pas do të ketë takime me liderët e tjerë shqiptarë.
E veshur me blu, teksa mbante një maskë të zezë, ku shfaqeshin dy flamujt, e Shqipërisë dhe Kosovës, Osmani është pritur në një ceremoni zyrtare nga Meta.
Në një konferencë të përbashkët me kreun e shtetit shqiptar, ajo deklaroi se Shqipërinë gjithmonë e kanë pasur krah. Duke u ndalur tek situata politike në Kosovë dhe akuzat ndaj ish-liderëve të UÇK-së, Osmani tha se e vërteta e vetme që e di dhe mbarë vota është se Serbia kreu gjenocid.
Mes të tjerash ajo kërkoi që pala shqiptare të jetë zë atje ku Kosova nuk ka akses që të jetë pjesë e strukturave ndërkombëtare.
“Po tentohet që të përmbyset e vërteta është Serbia ajo që ka kryer gjenocid. Nuk ka të vërtetë tjetër. Këtë të vërtetë e ka parë e gjithë bota. Në mënyrë që mos të përmbyset e vërteta, kemi nevojë për Shqipërinë. Që të jetë zëri ynë atje ku nuk kemi zë. Përderisa kemi prezencë në disa prej këtyre mekanizmave, Kosova nuk ka ulëse në një numër të madh organizatash ndërkombëtare, aty do të kemi nevojë që të intensifikohet zëri i Shqipërisë. Diskutuam për shumë fusha”, tha ajo.
Osmani u pyet edhe në lidhje me Minishengenin Ballkanik, të cilin më parë e ka cilësuar si “Fatkeqësi”. Ajo pranoi se e konsideron si fatkeqësi këtë marrëveshje, ndërkohë që shtoi se Rama bindi kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti për Minishengenin, i cili nënshkroi edhe një marrëveshje në Washington.
Osmani shtoi po ashtu se akoma flitet dhe se nuk ka një dokument për Minishengenin dhe se me Kosovën askush nuk është konsultuar më parë.
“Sa i përket minishengenit kam akoma të njëjtin qëndrim. Ia kam përcjellë kryeministrit Rama gjatë vizitës në nëntor dhe do ta përsëris të njëjtën gjë dhe nesër. Ka shumë argumente mbi bazën e të cilëve kemi ndërtuar atë qëndrim. Ka shumë shpresa për ta bindur kryeministrin Rama që ky nuk është projekt që favorizon Kosovën dhe Shqipërinë. Fatkeqësisht ai e bindi kryeministrin Hoti që ta nënshkruajë. Ajo çka do kërkoj është ta kemi dokumentin. Ne vetëm flasim, por nuk kemi asnjë dokument se çfarë është ky minishengen.
Mendoj që nga fillimi është gabim. Kjo iniciativë nuk e ka përfshirë Kosovën nga fillimi, nuk është konsultuar Kosova. Presidenca nuk është njoftuar se çka zyrtarisht e ka qëllimin. Kemi iniciativa të tjera që përkundër mbështetjes së madhe ndërkombëtare, Serbia nuk i ka zbatuar. Mund të duket si një iniciativë që ka qëllimin e njëjtë por e mira do ishte të shkrihej në iniciativat e tjera.
Kemi treguar dhe ofruar dorën e bashkëpunimit për gjithë rajonin, përfshirë Serbinë që nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. ne kërkojmë përfshirje të barabartë. Ajo çka kemi dëgjuar nga mediat për minishengenin, në masë të madhe i shkojnë në leverdi Serbisë se sa Kosovës e Shqipërisë”, deklaroi ajo.
Më herët Osmani e ka nisur vizitën në Shqipëri me një homazh të Memoriali i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Lezhë.
Ajo tha se nisja e vizitës me homazh te varri i heroit kombëtar është në funksion të rikujtimit të strategut që bëri shumë me projektin integrues mesjetar, duke u shndërruar në fortifikatë të civilizimit perëndimor.
Sipas saj, figura e Skënderbeut duhet të shërbejë si model i unifikimit në kohë të trazuara si kjo e sotmja.
“Ai bëri atë që na duhet më së shumti sot. Përveç se ishte gardian i vlerave të qytetërimit perëndimor, ishte edhe model i unifikimit. Ai dikur mbrojti vlerat e qytetërimit, të cilin e synojnë bashkë Kosova e Shqipëria”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani.
Ajo tha se figura e Skënderbeut është e përbotshme, siç janë Kosova dhe Shqipëria, të cilat pavarësisht sfidave e pengesave, në një të ardhme do të jenë pjesë e familjes së madhe europiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.