Kosova

25 vjet pas Rugovës, Osmani i drejtohet PE-së

Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar në Strasburg të Francës ku gjatë ditës së sotme do të ketë një adresim në Parlamentin Europian, hera e parë që një president i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të PE-së.

Osmani do të pritet fillimisht nga kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një takim për të diskutuar bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe këtij institucioni, e pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Europian.

Sipas paralajmërimeve nga Parlamenti Evropian, temat e diskutimeve edhe në takimin dypalësh Osmani-Metsola edhe në debatin në seancën plenare, do të jenë raportet mes Kosovës dhe BE-së, mbështetja që Parlamenti Evropian i ka dhënë Kosovës në vitet e fundit por edhe situata aktuale në Kosovë dhe procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë.

Adresimi i Osmanit para eurodeputetëve është planifikuar për në orën 11:30, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë për media.

Osmani ka mbërritur në Strasburg gjatë së martës ku ka takuar sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviç Buriç.

Më pas ka pasur edhe një pritje për përfaqësuesit e përhershëm të Këshillit të Evropës, ku në këtë takim është diskutuar për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kjo vizitë e presidentes vjen në kohën kur në tri komunat e Republikës së Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan situata është e tensionuar pas protestave të dhunshme ku serbët të organizuar nga Lista Serbe, e dirigjuar nga Beogradi zyrtar, sulmuan Policinë e Kosovës dhe KFOR-in duke lënë të plagosur 6 policë dhe mbi 30 ushtarakë te misionit të NATO-s në Kosovë.

Gjithashtu, edhe pas paraqitjes së planit prej pesë pikash nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Bashkimi Evropian është në përgatitje të sanksioneve ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, sidomos pas zhvillimeve të ditës së martë.

Bashkimi Evropian e konsideron Kosovën përgjegjëse për nxitjen e tensioneve në pjesën veriore të vendit dhe për mospërfillje të kërkesave për ndërmarrjen e hapave për uljen e këtyre tensioneve.

Si pasojë, kabineti i Përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell ka përgatitur dhe ka ndarë me shtetet anëtare disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë