Gazeta Si – Një 39-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur me dhunë disa banesa në zona të ndryshme në kryeqytet.
Në pranga ka rënë Tedi Neziri, banues në Tiranë, i cili akuzohet për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Ai është kapur në flagrancë gjatë kohës që po vidhte disa bizhuteri, në një banesë në zonën e Liqenit të Thatë.
Gjatë vjedhjes, autori i dyshuar është konfliktuar fizikisht me pronarin e banesës, 32-vjeçarin me inciale B. B., dhe kushëririn e tij, 33-vjeçarin me iniciale O.M.
Autori i dyshuar rezulton me precedent të mëparshëm kriminal për armëmbajtje pa leje dhe “Goditje për shkak të detyrës”.
Pas veprimeve hetimore, u zbardhën dhe u dokumentuan me prova ligjore 10 raste të ndryshme të vjedhjes në banesa, që dyshohen se janë kryer nga 39-vjeçari.
“Shtetasi Tedi Neziri, gjatë muajve të fundit, ka vjedhur shuma parash, bizhuteri, makinë, pajisje elektrike dhe elektronike, në 10 banesa, në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës”, bën me dije policia.
Po në vijim të këtij operacioni, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, gjatë kontrollit të banesës së shtetases M.F., e cila kishte lidhje shoqërore me shtetasin Tedi Neziri, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike, të llojit kokainë.
M.F., 44 vjeçe dhe dy djemtë të saj O.F., 24 vjeç dhe A.F., 20, të tre banues në Tiranë, u arrestuan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy mjete prerëse (thika), bizhuteri të vjedhura, një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kokainë dhe motomjeti që përdorte autori i dyshuar, gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




