Ka ndodhur

Vjedhje e aksident në Durrës, 4 të arrestuar

Policia e Durrësit ka vënë në pranga 2 persona në 24 orët e fundit, pasi vidhnin matësa uji.

Një prej tyre 19 vjeç e tjetri 16 vjeç kishin vjedhur në bashkëpunim në 23 matësa uji në Sukth.

Po ashtu u procedua pronarja e një pike grumbullimi të hekurave ku u gjendën matësat e ujit që ishin vjedhur.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 19 vjeç dhe proceduan penalisht shtetasit E. C. dhe Sh. M., 16 vjeç, banues në Sukth, Durrës, pasi dyshohet se në Sukth, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 23 matës uji. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja M. K., 39 vjeçe, pronare në një pikë grumbullimi të hekurave ku u gjendën sendet e vjedhura”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkaq një tjetër autor vjedhjesh u arrestua në Durrës pasi më 31 tetor kishte marrë sende shtëpiake nga një banesë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. Sh., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 31.10.2020 dyshohet se ka vjedhur disa sende shtëpiake në banesën e shtetasit P. D”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Gjithashtu, një tjetër një shofer është arrestuar pasi duke drejtuar mjetin “Audi” përplasi biçiklistin e moshuar, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin R. R., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi, në lagjen nr. 11, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, ka aksidentuar biçiklistin me iniciale N. K., 67 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, përfundon njoftimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë