Ka ndodhur

Vjedhja e energjisë zbulon edhe laboratorin e prodhimit të Bitcoin në Krujë

Një laborator i prodhimit të kriptomonedhave Bitcoin është zbuluar në Krujë gjatë një aksioni të policisë kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Sipas autoriteteve, laboratori është zbuluar në një objekt në pronësi të shtetasit S.D., i cili e kishte lëshuar këtë ambient me qira.

Ka qenë konsumi i lartë i energjisë elektrike që çoi në zbulimin e këtij laboratori. Personi që kishte marrë me qira ambientin kishte lidhur energjinë elektrike në mënyrë të paligjshme.

Në përfundim të operacionit në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 pajisje elektronike për prodhimin e kriptomonedhave, Bitcoin.

Pronari i banesës, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, ndërsa mësohet se vijoj puna për identifikimin e personit që ka marrë me qira këtë ambient, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Bitcoin është monedha virtuale e prodhuar në vitin 2008 nga Satoshi Nakamoto dhe qëllimi i tij ishte që bota të përdorte pagesat në internet pa bankë dhe karta krediti por përmes kriptomonedhës.

Monedha virtuale është një kod kompjuterik që mirëmbahet përmes “Blockchain”, që është teknologjia që bën mirëmbajtjen e Bitcoin.

Prodhimi i kodeve quhet 'mining' dhe ambienti ku vendosen aparaturat e Bitcoin quhet “fermë”. Në tregjet botërore, vlera e një Bitcoin-i ka arritur në çmimin rekord prej 45929.07 euro për një monedhë virtuale, e cila mund të përdoret për të blerë aksione në bursa apo pasuri virtuale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë