Politike

Vizita në SHBA/ Rama: Përcolla shqetësimin për maskaradën e Hagës ndaj 4 ish-liderëve të UÇK

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje në lidhje me vizitën në SHBA, ku mori pjesë në takimin e parë të Bordit të Paqes.

Rama u ndal tek fjala e tij dhe adresimi ndaj presidentit Trump për të bërë diçka në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët sipas tij përballen me akuza të pabaza.

Sipas kryeministrit Rama, trupa gjykuese duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës.

“Vizita në Washington për mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes ishte padyshim momenti më i veçantë i kësaj jave. Shqipëria u ul me krenari në një tryezë ku po hapet një kapitull i ri në arkitekturën globale, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes.

Më vjen mirë natyrisht për jehonën e fjalës që mbajta në emër të Shqipërisë, ku konfirmova edhe pjesëmarrjen e vendit tonë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza, po mbi të gjitha përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për maskaradën e pabesueshme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit e çlirimtarëve të Kosovës.

Kam besim se niveli i ri i sensibilizimit lidhur me atë gjykatë, deri më sot, pa asnjë standard demokratik, ku akuza dështoi me turp të provonte se UÇK ishte një sipërmarrje kriminale dhe u lëshua në fund e dëshpëruar me kërkesën mizore për 45 vjet burg për Hashim Thaçin dhe tre udhëheqësit e tjerë të luftës çlirimtare, do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës, pafajësisë së çlirimtarëve dhe poshtërsisë së përndjekësve të tyre, dinjitetit të një gjykate dhe vetëpërdhosjes së saj përfundimtare”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë