Politike

Vizita e Ramës në Turqi, në Athinë janë të bindur: Foli me Erdogan për 12 miljet detare

Mediat greke nuk iu shmangën lidhjes së vizitës së Edi Ramës në Turqi me vendimin e Greqisë për t’u zgjeruar me 12 milje në Detin Jon dhe marrëveshjen e arritur me Shqipërinë për të ndarë zonat ekskluzive ekonomike në Gjykatën e Hagës.

Pritja e bujshme dhe udhëtimi i beftë i Kryeministrit shqiptar për në Ankara, pa nxjerrë më parë një njoftim paraprak është interpretuar nga një pjesë e mediave greke si sinjale se në këtë takim mes Erdogan dhe Ramës është diskutuar edhe çështja e detit. Ato i përforcojnë këto pretendime duke kujtuar se vetëm një ditë më parë kishte pasur një telefonatë mes Ramës dhe ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendiasit.

Televizioni Mega thotë se në qendër të takimit ka qenë marrëveshja e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, më pas çështje të tjera që janë njoftuar edhe zyrtarisht në daljen publike të Erdogan me Ramën, si rindërtimi nga pasojat e tërmetit.

Sipas këtij televizioni, Turqia është e shqetësuar pasi Greqia mund ta përdorë zgjerimin grek në Perëndim si precedent për të bërë të njëjtën gjë edhe në ujërat e kontestuara mes dy vende, duke sjellë zhvillime të reja në Mesdheun Lindor. Edhe mediat e tjera u ndalën tek vizita e beftë, pritja që i rezervoi Erdogan dhe hamendësimeve se është diskutuar për 12 miljet detare.

Mediat online e kanë pasqyruar më të zgjeruar vizitën e Ramës në Ankara, duke cituar nënshkrimet e marrëveshjeve, që me ngritjen e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik dhe çështje të tjera si bashkëpunimi ushtarak, ekonomik, social dhe kulturor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë