Për analistin Ben Andoni, data e zgjedhur nuk është një rastësi. Megjithatë, ai vlerëson pozitivisht idenë e takimit të zotit Rama në Athinë, edhe pse sheh që të dhënat të çojnë drejt një sfide me shtetin grek, pas kandidimit si eurodeputet të Fredi Belerit. “Takimi ka brenda edhe elementin e sfidës, por mendoj personalisht se z. Rama nuk duhet të ulë stekën e pozicionit të tij, duke iu referuar “Bejlerit”.- argumenton Ben Andoni në një intervistë për Gazeta Si. Ai nuk e sheh këtë takim si rrezik për ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti të huaj, për shkak të zgjedhjeve për Parlamentin Europian muajin e ardhsahëm. “Nuk mund të quhet ndërhyrje, kur i drejtohesh thjesht komunitetit tënd. Duke ditur sesi po shkon procesi i votimit të diasporës dhe pamundësinë deri tani për t’u realizuar si proces, kupton se qasja e Ramës do të jetë përtej zgjedhjeve, por aspak me aspiratat greke dhe votimin për Parlamentin Evropian.”- tha zoti Andoni në intervistën e tij për Gazeta Si.
INTERVISTA E PLOTE:
Gazeta Si: Çfarë mesazhi do të japë takimi i kryeministrit Rama me emigrantët shqiptarë të Greqisë, në një kohë kur marrëdhëniet, të paktën mes dy kryeministrave, janë në një nivel të ulët për shkak të çështjes Beleri?
Ben Andoni: Mesazhi kryesor, po t’i referohesh kanaleve zyrtare, është ajo që do t’i kumtohet komunitetit të shqiptarëve dhe që lidhet me pjesëmarrjen e tyre, në të ardhmen, në jetën zgjedhore të vendit, por edhe për ta bërë diasporën më të pranishme me jetën ekonomike, jo thjesht me remitancat. “Në 12 Maj nisim nga Athina rrugëtimin e pranverës në diasporë, ‘Krenar për Shqipërinë’, ku do të ishte kënaqësi e posaçme të takoheshim’, ka shkruar ditë më parë Rama në rrjetet sociale. Shkuarja në Greqi e Ramës bën sens, e para sepse është vendi me një komunitet të madh shqiptarësh, por e dyta edhe për të treguar fuqinë e shtetit shqiptar, jashtë vendit. Deri tani, këtë sfidë, Tirana zyrtare e ka bërë në formën e patronazhimit politik të faktorit shqiptar në hapësirën e Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut. Duket se Rama është duke menduar shumë për të ardhmen dhe sidomos shëndoshjen e formacionit të tij me rekrutimin e njerëzve të diasporës, në momentin që Shqipëria po zbrazet nga dita në ditë. Togfjalëshi eufemik “Krenar për Shqipërinë” më shumë është grishje që Shqipëria të shihet si vend investimi dhe vote të rregullt të tyre në të ardhmen.
Gazeta Si: E shihni si sfidë takimin masiv të Edi Ramës në Athinë, pas deklarimit të kryeministrit grek për kandidimin e Fredi Belerit si eurodeputet të Greqisë?
Ben Andoni: Po. Brenda e ka dhe elementin e sfidës, por mendoj personalisht se z. Rama nuk duhet të ulë stekën e pozicionit të tij, duke iu referuar “Bejlerit”. Dihet se z. Micotaqis ka dashur të grishë pjesën më radikale të elektoratit të tij dhe, sidomos, ngjalljen e një nacionalizmi arkaik në kuadër të zgjedhjeve, që do bëhen në këto ditë Maji. Por e vërteta është se pak herë, për shkak të një personazhi si Bejleri, marrëdhëniet tona kanë shkuar kaq shumë pas, si këtë herë. Ndaj, z. Rama që ka duruar në të gjithë këtë kohë presionin e të gjithë institucioneve ka dashur ta kthejë përgjigjen në sensin më ‘kalorsiak’, por që është edhe sfidues: Ditën e zgjedhjeve për një parti që në listë ka elementë si Bejleri, të mbajë një aktivitet me shqiptarët.
Gazeta Si: Çfarë ndikimi mund të ketë takimi i zotit Rama me emigrantët në lidhje me zgjedhjet për Parlamentin Europian? Mund të quhet vizita si ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti?
Ben Andoni: Nuk besoj se do të ndikojë tek pjesa shqiptare ose tek bashkëkombasit që votojnë në shtetin grek, për arsyen sepse ata që e mbështesin z. Bejleri do ta mbështesin atë me çdo lloj kushti, pa marrë parasysh presionin e Tiranës. Kuptohet se është frika indirekte e ndikimit në zgjedhje dhe media greke e ka fryrë si mundësi, por logjika nuk e pranon. Nuk mund të quhet ndërhyrje, kur i drejtohesh thjesht komunitetit tënd. Duke ditur sesi po shkon procesi i votimit të diasporës dhe pamundësinë deri tani për t’u realizuar si proces, kupton se qasja e Ramës do të jetë përtej zgjedhjeve, por aspak me aspiratat greke dhe votimin për Parlamentin Evropian.
Gazeta Si: Sipas mediave greke, pala greke ka sugjeruar shtyrjen e takimit pas datës 9 qershor. Këmbëngulja e zotit Rama për ta mbajtur të dielën, më 12 maj është veprimi i duhur politik dhe diplomatik?
Ben Andoni: Po besoj se është një karshillëk për atë që ka bërë gjatë gjithë këtyre kohëve pala greke dhe që u duhej kthyer. Vendimi i përket kryeministrit Rama dhe nuk mund ta paragjykohet, përveç faktit që publiku është i lodhur me mosmarrëveshjet politike, që jo pak herë pala greke na i ka kthyer në shtime privacionesh për qytetarët tanë. Ashtu si logjikisht dhe, qenësisë së faktit korrekt, e bënte që takimi mund të shtyhej disa ditë.
Gazeta Si: Në opinionin tuaj, a është zgjedhur data 12 maj qëllimisht, duke qenë se në këtë ditë, 1 vit më parë u arrestua kandidati i opozitës për bashkinë Himarë?
Ben Andoni: Logjikisht po, por jo pak herë shteti shqiptar është i paqartë në veprime dhe një gjë e tillë ka ndodhur në mendimin tim edhe këtë herë. Që do të thotë se mund ta ketë nisur, pa u kujtuar për pasojat e kësaj date dhe pastaj e ka të vështirë të kthehet. Normalisht duhej ta shmangte dhe të mos ‘hakmerrej’ në këtë lloj forme, sepse është Drejtësia që po merret me Bejlerin. Por nga ana tjetër, kur kujton ndërfutjen e palës greke dhe shumë personazheve të saj, si edhe tolerimin e shtetit shqiptar të këtyre zyrtarëve, atëherë të lind mendimi që shteti grek nuk duhej ta instrumentalizonte, siç ndodhi këtë herë. Greqia duhet të fillojë të mendojë se Shqipëria tashmë për pak vite do të jetë pjesë e të njëjtës familje dhe nuk është çudi që t’ia kthejë ashpër me të njëjtën monedhë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.