Politike

Vizita e Blinken në Tiranë, DASH: Shqipëria partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

Shqipëria është partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor si dhe një zë i fortë i mbrojtjes së Ukrainës, tha një ditë para vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Tiranë, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Në deklaratën e tij për mediat, Miller njofton se vizita e Blinken në Shqipëri është e para dhe riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Po ashtu një tjetër pikë që vlerëson Miller është mandati që mbajti Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020.

“Sekretari Blinken do të niset nesër për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Shqipëria ka qenë një zë i fortë në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës të sovranitetit dhe lirisë së saj kundër agresionit brutal të Rusisë.

Shqipëria ishte udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor” deklaroi Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Një ditë më parë. zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim, tha se vizita e Blinken në Shqipëri do të përqendrohet tek “e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë