Nga Xhuliana Toci - Pse Amerika nuk i ka kushtuar vëmendje mundësive të shumta gjeopolitike për të krijuar një marrëdhënie më të fortë me Ballkanin Perëndimor? A janë bërë Shtetet e Bashkuara me indiferente ndaj fatit të rajonit? Cili është vizioni i Presidentit Donald Trump për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë vendet e tjera të Ballkanin?
Përgjigjet e këtyre pyetje erdhën më 19 tetor në një forum sigurie në Beograd, ku një zyrtar i lartë i lartë i Departamentin Amerikan të Shtetit prezantoi për herë të parë një tablo gjithëpërfshirëse të vizionit dhe interesave të administratës Trump për rajonin. Matthew Palmer, zëvendës ndihmë sekretari amerikan i Shtetit, hodhi poshtë të gjithë zërat se Ballkani Perëndimor ka zbritur në fundin e listës së prioriteteve të SHBA-së, pasi Presidenti Donald Trump mori pushtetin.
Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit shprehet se Presidentti Trump mbetet i fokusuar dhe i përkushtuar për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë qëllimin e tyre për të hyrë në institucionet evuropiane dhe euroatlantike. “Ne kemi punuar për këtë qëllim për shumë vite përmes administratave të shumëfishta. Kjo mbetet qëllimi kryesor strategjik dhe objektivi i politikës amerikane”, deklaroi ai për “Western European Balkans”. “Nuk mendoj se është e vërtetë se Ballkani Perëndimor nuk është prioritet . Gjithmonë ka konkurrencë për kohën dhe vëmendjen, nga ana e parimeve. Sigurisht, nëse shikoni prapa në vitet 1990, Ballkani Perëndimor ishte në krye të prioritetit, jo vetëm për SHBA-në, por për mbarë botën. Gjërat kanë ndryshuar në këtë drejtim, por SHBA mbetet e angazhuar në këtë rajon. Ne mbetemi të angazhuar në këtë rajon. Ne jemi këtu, po punojmë ngushtë me qeveritë e Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara objektivin tonë të përbashkët të integrimit europian, paqen, begatinë dhe stabilitetin”, u shpreh Palmer.
Zyrtari i lartë amerikan, i njohur për takimet dypalëshe me liderët e Ballkanit, ishte gjithashtu i ftuar në një forum sigurie në Beograd disa javë më parë, ku theksoi edhe njëherë se Amerika “është” ulur këmbëkryq në Ballkan. Duke iu referuar Shqipërisë, ai i bëri thirrje vendit tonë të çojë deri në fund reformat, sidomos procesin e Vettingut dhe të çojë përpara luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Aleati jonë i vogël Shqipëria ka pasur gjithashtu nga një rrugë e gjatë. Ne mirëpresim vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociata të anëtarësimit me Tiranën në qershor të vitit të ardhshëm. Ky vendim që do ta çojë vendin përpara, reflekton këmbënguljen e qeverisë shqiptare për të rivendosur sundimin e ligjit në institucione dhe realizimin e reformave dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Tirana zyrtare duhet të shkojë përtej këtyre përpjekjeve dhe t’i demonstrojë Brukselit dhe qytetarëve shqiptarë se është e angazhuar dhe e aftë dhe të çojë përpara transformimet që do të sigurojnë të ardhëm e saj të ndritur. Është një tregues i mirë fakti që po shohim disa prokurorë dhe gjykatës të korruptuar të shkarkuar nga pozicionet publike si pasojë e procesit të Vetingut. Por bëjmë thirrje Shqipërisë të çojë deri në fund këto reforma dhe qëndrojë e patundur përballë presionit politik".
Sipas tij të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë shqetësime të ngjashme: mungesa e sundimit te ligjit, korrupsion i shfrenuar, përhapjen e krimit të organizuar mungesa e lirisë së medias. Zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit i bëri gjithashtu thirrje Tiranës dhe Athinës zyrtare që të arrijnë sa më parë një marrëveshje për kufirin detar dhe çështje të tjera të mbetura hapur mes dy vendeve. “Dua të ritheksoj edhe njëherë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë prosperitet dhe integrimin e Ballkanit në Organizatat Perëndimore. Gjatë këtyre viteve ka pasur arritje të mëdha, si integrimi i Kroacisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe hapja e negociatave të anëtarësimit në BE për Serbinë dhe Malin e Zi si edhe anëtarësimi në NATO i Shqipërisë dhe Malit të Zi. Marrëveshja e Prespës ishte po ashtu një hap i madh, por vetëm nëse do të ratifikohet. Por ka pasur gjithashtu edhe hapa pas. Stabiliteti nuk është një e drejtë që të jepet që nga lindja, por duhet të fitohet në sajë të punës të vështirë dhe angazhimit për të ndryshuar. Ky proces nuk është as linear dhe as i lehtë. Kjo do të thotë se i gjithë Ballkani duhet të punojë së bashku për të ecur përpara. Kjo do të thotë se Serbia dhe Kroacia duhet ta lënë pas të shkuarën dhe se Shqipëria duhet të arrijë në marrëveshje me Greqinë për kufirin detar dhe çështjen e minoritetit dhe të kthejnë më në fund faqen e të shkuarës", deklaroi ai.
Palmer foli gjatë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se administrata e Presidentit Trump është e gatshme të ndihmojë të dyja palët për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët. I pyetur nga gazetarët mbi kundërshtimin e Gjermanisë ndaj tezës së shkëmbimeve territoriale dhe se si do ta kalojë Uashingtoni zyrtar pengesën e Berlinit ai u shpreh se: “Si fillim më lejoni të theksoj se SHBA-ja nuk avokon dhe nuk mbështetet në mënyrë të veçantë një zgjidhje të caktuar për mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi . Ne nuk jemi duke hedhur ide ape teza të caktuara. Ne jemi duke u përpjekur të bindim të dyja palët të marrin në dorë këtë proces dhe të gjejnë një zgjidhje që mund të pranohet nga të dyja palët. Ne nuk kemi parë asnjë plan konkret apo ndonjë marrëveshje që është arritur nga negociata dypalëshe prandaj është e vështirë të flasim për diçka abstrakte. E di që ka pasur disa shqetësime nëse marrëveshja përfundimtarë do të përfshijë shkëmbimet territoriale dhe pasojat që do të kishte një marrëveshje e tillë në rajon. Ne nuk jemi indiferentë ndaj këtyre shqetësimeve, por duhet të theksohen edhe shqetësimet nëse Beogradi dhe Prishtina nuk arrijnë asnjë marrëveshje përfundimtare. Vazhdimësia e një konflikti të ngrirë është duke dëmtuar po ashtu stabilitetin rajonal.”
Gjatë fjalimit zyrtar në forumin e sigurisë së Beograd, zyrtari i lartë amerikan deklaroi se ashtu si Greqia dhe Maqedonia, edhe Kosova dhe Serbia kanë një mundësi historike për të shkëputur nga e shkuar së bashku drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më të paqësore. “Që nga fillimi tij, SHBA-ja ka mbështetur fuqishëm dialogun e sponsorizuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Mosmarrëveshjet po i mbajnë të dyja vendet e izoluara, duke penguar edhe rajonin të njohë potencialin e tij të plotë. Si Kosova ashtu edhe Serbia kanë të ardhme europiane, por nuk mund ta arrijnë këtë qëllim pa njëra-tjetrën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin arritjen e një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, tani është koha për kompromis dhe që të dyja palët të jenë kreative dhe fleksibël”, deklaroi Palmer. Sipas tij zgjidhja përfundimtare për mosmarrëveshjet Serbi-Kosovë nuk mund të imponohet nga komuniteti ndërkombëtar. “Shtetet e Bashkuara janë gati të dëgjojnë dhe të ndihmojnë. Kjo marrëveshje duhet të jetë e gjithanshme dhe të marrë parasysh faktorët, social, politik, kulturor, ekonomik dhe faktorët e sigurisë. Nëse do të kemi shqetësime për marrëveshjen e propozuar do të jemi të qartë dhe do të jemi të ndihmojmë të dyja palët në rrugën e tyre drejt arritjes së një zgjidhjeje. Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës të shfrytëzojnë këtë mundësi unike, të hedhin në tryezë ide dhe kompromise që mund të çojnë drejt një marrëveshjeje të kënaqshme për të dyja palët. Sepse nëse do të kishte një humbës dhe një fitues nuk do të kishte marrëveshje dhe fituesit e vetëm do të ishin faktorët e huaj që duan ta shohin këtë rajon të përçarë kundrejt vetvetes”, deklaroi ai, duke iu referuan tërthorazi fuqive të huaja që si Turqia apo Rusia që kanë intensifikuar prezencën e tyre në Ballkan.
Në intervistën e dhënë para forumit të mbajtur në Beograd, Palmer shprehet se në Ballkanin Perëndimor ka ndikime konkurruese gjeopolitike, por se SHBA-ja dhe Rusia kanë ambicie shumë të ndryshme në rajon. “SHBA mbështet integrimin e rajonit në strukturat europiane dhe euro-atlantike, mbështet sundimin e ligjit dhe harmonizmin e normave europiane midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Moska mendon se ajo që u shërben më shumë interesave të saj është përçarja e rajonit, ndërsa SHBA-ja beson se interesi ynë është rendi dhe mirëkuptimi”, deklaroi Palmer. Sipas tij është gjithnjë e më e qartë se vizioni i Rusisë për Ballkanin Perëndimor është ndërtuar rreth mosbesimit, dhe kundërshtimit të integrimit perëndimor të rajonit. “Unë mendoj se rusët e kuptojnë se interesi i tyre vetjak në Ballkan bie në kundërshtim me vetë interesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor,”thotë ai. Ekziston një mbivendosje e konsiderueshme përsa i përket pozicionimit strategjik të SHBA-së në Ballkan dhe pozicionimit të vetë qeverive të Ballkanit Perëndimor. Ne duam atë që vetë këto vende duan”, shton ai, duke thekuar se pret që rusët të punojnë kundër arritjes së një marrëveshjeje midis Beogradit dhe Prishtinës.
Kjo marrëveshje ka përplasur edhe njëherë shtetin më të fuqishëm europian, Gjermaninë dhe SHBA-në, duke ngritur dyshime se interesat e BE-së dhe Uashingtonit për Ballkanin perëndimor nuk ishin më në një vijë politike. Duke iu përgjigjur këtij shqetësimi Palmer deklaroi interesat e BE-së dhe SHBA-së në Ballkan plotësojnë njëra-tjetrën. Ai bëri thirrje Brukselit të japë miratimin e tij për liberalizimin e vizave me Kosovën, duke deklaruar se për SHBA-në ky është hapi i ardhëm logjistik.
“Interesi i Europës nuk është vetëm inkurajimi i anëtarësimit në institucionet e BE, por ka të bëjë me formësimin e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që vendet e rajonit të kualifikohen për anëtarësim dhe të kontribuojnë si anëtarë të atij komuniteti. Mendoj se është e rëndësishme që BE të ketë bërë të qartë se për Kosovën, dera për një marrëdhënie më të mirë dhe më të ngushtë me Europën është e hapur. Liberalizimi i vizave do të jetë hapi i ardhshëm logjik dhe se diçka që ne dëshirojmë shumë që BE-ja të bjerë dakort”, thotë Palmer për “European Ëestern Balkans”.
“Unë mendoj se Ballkani Perëndimor është një nga pikat kryesore të bashkëpunimit transatlantik. Është një fushë ku ne kryesisht pajtohemi. Ekzistojnë mbivendosje në kuptimin e qëllimeve strategjike,edhe pse gjithmonë do të ketë disa dallime në nivelin taktik. Për shembull, mendoj se është e rëndësishme që BE të sqarojë se për Kosovën, dera për një marrëdhënie më të mirë dhe më të ngushtë me Europën është e hapur”, shton ai.
I pyetur nëse bashkëpunimi me Serbinë duhet të jetë fokusi i përfshirjes së SHBA në Ballkanin Perëndimor, zyrtari amerikan shprehet se: Mendoj se bashkëpunimi me Serbinë është i rëndësishëm. Mendoj se është kritike, pasi Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një marrëdhënie të mirë me Beogradin dhe shpresojmë ta shohim të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ky është qëllimi strategjik i Serbisë dhe diçka që SHBA-ja e mbështet fuqimisht. Për të arritur këtë qëllim, Serbia do të duhet të arrijë një marrëveshje me Kosovën.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.