Presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar për mediat serbe se gjatë vizitës në Kinë, ka pasur një takim të shkurtër me presidentin rus Vladimir Putin, duke mos zbuluar temën e diskutimeve.
Ndërsa ka komentuar dhe deklaratat e Macron për pezullimin e shpallur për heqjen e së vizave të Kosovës dhe për ngjarjen e Banjskës, ku kërkohej që Vuçiç ta dënonte vrasjen e policit Afrim Bunjaku.
“Nuk dua të komentoj këtë. Është vendim i njërës prej vendeve më të fuqishme evropiane. Faleminderit Macronit për shumë gjëra tjera, për miqësinë që tregon ndaj Serbisë”, u shpreh presidenti serb.
Ndërsa për apelin e presidentit francez për dënimin e ngjarjes së së rëndë më 24 shtator në Banjskë, Vuçic pati një replikë, pasi sipas tij, Beogradi zyrtar e ka dënuar atë.
“Për vërejtjen që bëri se duhet të dënojmë dhunën në Banjskë. Ne e kemi bërë këtë disa ditë rresht, madje mendoj se i kam thënë këtë edhe Macronit kur kemi qenë në takim në Granadë”, theksoi Vuçiç (edhe pse askush nuk e ka dëgjuar një deklaratë të Presidentit serb që dënon dhunën në Banjska që nga 24 shtatori deri tani-shënim i redaksise).
Ai ka folur edhe për deklarimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha të hënën në Tiranë se i ofroi kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, që të nënshkruajë marrëveshjen e Ohrit, por ajo e refuzoi.
Vuçiç tha se “Kurti sjell vazhdimisht diçka për të nënshkruar, të cilën e refuzojnë të gjithë”.
“Ai të thotë ‘të kam sjellë një deklaratë paqeje për ta nënshkruar’ dhe ti në atë moment mendon se ka sjellë diçka të këndshme për ty për të nënshkruar, sepse përdor fjalën ‘paqe’. Ai thjesht harron t’u thotë se deklaratën për paqe mund të nënshkruajnë vetëm shtetet sovrane dhe të pavarura. Pra, në sekondën që nënshkruani, atëherë keni pranuar pavarësinë e Kosovës”, thotë Vuçiç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.