Përfundimisht është viti i çudirave dhe i risive edhe në botën e modës. Gjatë gjithë sezoneve kemi parë shfaqje dhe pasarela nga më të ndryshmet që vlen të themi se deri tani kanë qenë ndryshe nga çdo gjë që kishim parë deri para një viti. Në fakt, ndoshta për faktin se jemi mësuar me një rregull të thjeshtë dhe që është përsëritur gjithmonë. Ka Javë Mode dhe sezone ku me anë të një shfaqjeje, modeleve dhe pasarelës markat e modës lançojnë koleksionet e veshjeve. Këtë vit çdo gjë ndryshoi. Për shkak të pandemisë markat u detyruan të shtyjnë shfaqjet e tyre për një kohë por rikthimi ishte i bujshëm dhe padyshim befasues. Në shtator-tetor ndryshoi çdo gjë. Markat kishin menduar për mënyra komplet të reja për të prezantuar koleksionet e tyre, mënyra që ishin ndryshe nga ajo që ishim mësuar. E çuditshme, më normalja ishin sfilatat në ambiente të hapura, më modele që sfilonin vetëm, pa spektatorë dhe sfilatat online apo me Zoom. Revolucionin e sollën disa marka që me siguri do të mbahen mend gjatë si ato që e ndryshuan lojën dhe sollën të renë në botën e modës. Dior përdori disa kukulla dhe bëri film për të prezantuar koleksionin e ri, Moschino hoqi dorë nga modelet dhe prezantimin e koleksionit e la në dorë të disa marionetave. Shumë marka krijuan modele 3D që ishte e vështirë ti dalloje nga ato të vërtetat.
Loewe nuk çoi ftesa si gjithmonë. Këtë vit, në vend të ftesës, Jonathan Anderson, dizenjuesi i markës vendosi të dërgonte një kuti të vogël, për këdo që do të ishte ftuar në një kohë tjetër, ku brenda kishte një suvenir që ka lidhje me markën dhe shfaqjen e mbajti online.
Pastaj është Balenciaga që krijoi një trend tjetër. Këtë fundjavë, marka franceze lancoi Afterworld: The Age of Tomorrow, një videolojë e cila do të shërbejë si një vitrinë për koleksionin ‘vjeshtë 2021’.
Dizenjuesja Demna Gvasalia tregon për një aventurë mitologjike, të vendosur në vitin 2031 që ka lojtarë që eksplorojnë pesë nivele, nga dyqani virtual i markës në një pyll të errët dhe një majë mali ku shihet perëndimi i diellit. Të 50 lojtarët janë të veshur të gjithë me stil mesjetar. Për vjeshtën e vitit 2021, Gvasalia po propozon veshje “të ndryshueshme” që i ndihmojnë lojtarët të lëvizin në terrenin e ashpër. Një batanije për shembull, shndërrohet në një pelerinë me kapuç. Pra nëpër vende, lojtarët gjejnë materiale nga më të ndryshmet që shndërrohen në rroba.
“Unë e studiova shumë këtë vit dhe mendoj se cdo gjë që ka ndodhur më ka shtyrë të zgjedh një koleksion ndryshe për vjeshtë 2021” tha Gvasalia.
Ajo thotë se tani të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi dhe të mundohemi të veshim rrobat që kemi derisa të jenë të shkatërruara.
“Një bluzë shumë mirë mund ta bësh një aksesor tjetër pa qenë nevoja ta hedhësh. Plus nuk duhet më të jemi me idenë se rrobat hidhen kur ju ikën trendi” tha ajo.
Për këtë, ky koleksion është plot me rroba që duken të vjetra, të veshura dhe mjaft të shkatërruara.
Me “Afterworld: The Age of Tomorrow”, ajo po i lejon të gjithë të përjetojnë një univers paralel që, për pak kohë, ndoshta mund dhe të bëhet realiteti ynë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.