Treg

Në 2022 eksportet u rritën me 32%, të nxitur nga energjia. Në zgjerim edhe deficiti tregtar

Ndonëse eksportet shqiptare u rritën ndjeshëm vitin e shkuar, deficiti tregtar vijoi zgjerimin.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 487 miliardë lekë, duke u rritur me 32% krahasuar me një vit më parë.

Por, ndërkohë importet e mallrave u rritën me 18.7% në vlerën e 950 miliardë lekëve krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Deficiti tregtar preku vlerën e 464 miliardë lekëve, duke u rritur me 7.3%, krahasuar me vitin 2021.

Mallrat që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve gjatë vitit 2022 ishin “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 10.3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 6.9 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me 6.2 pikë përqindje.

Gjatë 2022-shit, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (35.1%), Kosovë (0.2%) dhe Gjermani (58.6%). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (0.9%).

Mallrat që kanë ndikuar në rritjen vjetore të importeve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8.3 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me 3.2 pikë përqindje dhe “Ushqime, pije, duhan” me 2.4 pikë përqindje.

Rritjen më të madhe të importeve në 2022-shin Shqipëria e kishte me Italinë (5.9%), Turqinë(33.1%) dhe Kinën (18.8%).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (10.3%), Rusia (27.3%) dhe Austria (1.1%).

Eksportet në dhjetor u nxitën nga energjia

Gjatë dhjetorit, eksportet e mallrave arritën vlerën 40 miliardë lekë, duke u rritur me 26.1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 4.5% më pak krahasuar me nëntorin e 2022-shit.

Të dhënat sipas grupmallrave tregojnë se një ndikim të rëndësishëm në rritjen vjetore te eksporteve gjatë dhjetorit ka dhënë energjia elektrike.

Në rritjen e eksporteve prej 26.1%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me 17.5 pikë përqindje, “Ushqime, pije, duhan” me 4.0 pikë përqindje, dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 3.0 pikë përqindje. Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2.5 pikë përqindje.

Vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve gjatë dhjetorit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë: Itali (0.8%), Maqedoni (273.6%) dhe Kosovë (17.5%). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Gjermania (16.5%).

Importet e mallrave arritën vlerën 95 miliardë lekë, duke u rritur me 7.7%, në krahasim me një vit më parë dhe me 22.3%, në krahasim me nëntorin e 2022-shit.

Deficiti tregtar për dhjetorin është 54 miliardë lekë, duke u ulur me 2.9%, krahasuar me dhjetorin e 2021-shit dhe duke u rritur me 54.2%, në krahasim me nëntorin e vitit të kaluar.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve në dhjetor, janë Zvicra (690.2%), Turqia (2.7%) dhe Kina (43.4%).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, në krahasim me dhjetorin e 2021-shit janë: Italia (7.9%), Greqia (25.1%) dhe Kosova (20.0%).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë