Prurjet turistike po zgjasin përtej verës dhe po dëshmojnë se ky vit ka kaluar edhe nivelet e 2019-s, atij që deri tani konsiderohej si viti më i mirë i turizmit.
Sipas të dhënave të INSTAT, në muajin nëntor në Shqipëri kanë ardhur 358.350 shtetas të huaj duke u rritur me 46.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar dhe me 34% krahasuar me nëntorin e vitit 2019.
Nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, rritjen më të madhe kanë patur Spanja me 2.4 herë dhe Italia me 62.9%, krahasuar me nëntorin e vitit të shkuar.
Edhe gjatë 11 mujorit Spanja ka pasur sërish rritjen më të madhe me 3.7 herë. Kjo sepse këtë vit për herë të parë janë shtuar fluturimet direkte me Spanjën nga Wizz Air.
Besnik Vathi, Kryetari i Shoqatës së Tur-operatorëve tha para disa kohësh për Gazetasi.al se fluturimet e drejtpërdrejta nga Madridi dhe Barcelona do të vijojnë ta mbajnë të lartë numrin e spanjollëve që vizitojnë Shqipërinë.
Gjithashtu ai tregoi që vitin e ardhshëm do të shtohet një tjetër linjë nga Madridi.
Uljen më të ulët e ka patur Zvicra me 13.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Sipas raportit daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit nëntor 2022, janë 838.056, duke shënuar një rritje me 41.3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo rritje duket se gjithashtu i atribuohet kthimit në normalitet në raport me 2021 dhe ditëve të gjata të pushimeve për festat e nëntorit ku një pjesë e shqiptarëve lëvizin jashtë kufijve.
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit nëntor 2022 janë 463.097. Krahasuar me nëntor 2021, ky numër është rritur me 47.9%.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë nëntorit, janë 374.959 duke u rritur me 33.9% me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.