Filma

Viti Mbarëkombëtar i 80-vjetorit të Çlirimit, shfaqet i restauruar filmi ‘Tomka dhe shokët e tij’

Kinemaja verore e DPA-së çeli siparin e një sezoni të ngjeshur artistik me shfaqjen e një prej filmave më ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Tomka dhe shokët e tij”. Me rastin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit, kjo hapësirë e re kulturore pranë DPA-së do t’i kushtojë një rëndësi të posaçme realizimeve filmike që i referohen Luftës Nacionalçlirimtare.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në oborrin e ridimensionuar të godinës së DPA-së, ishin të pranishëm ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, Drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Marinela Ndria, përfaqësues të Shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut, dhjetëra studentë dhe nxënës.

Fjala përshëndetëse u mbajt prej Bidos, i cili u shpreh se përmes kësaj nisme, DPA-ja synon të përcjellë një mesazh me rëndësi kombëtare.

“Me rastin e këtij viti me rëndësi kombëtare, ne përcjellim një mesazh shumë të rëndësishëm: kur atdheu është në rrezik, të rinjtë duhet të dalin përballë tij. Kjo ndodhi 86 vjet më parë dhe kulmoi 80 vjet më parë, kur një grup të rinjsh dhe të rejash dolën përballë në mbrojtje të atdheut, kur rrezikohej liria e tij. Janë pikërisht ata që kanë mundësuar që sot të kemi një vend të pavarur që mund ta drejtojnë vetë shqiptarët. Është momenti për të përcjellë këtë mesazh në forma të ndryshme. Do të shfaqen 10 filma që risjellin epopenë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Lavdi dëshmorëve të Atdheut”- tha kreu i DPA-së.

Në vijim, mori fjalën Balla, i cili përshëndeti angazhimin e DPA-së në drejtim të njohjes së kontributit të Luftës Nacionalçlirimtare. “Kjo luftë e radhiti Shqipërinë përkrah aleatëve globalë në luftën ndaj fashizmit. Shqipëria u çlirua falë heroizimit të atyre djemve dhe vajzave që morën armët për të dhënë kontributin e tyre. Ka patur shumë përpjekje për të përbaltur këtë luftë, por shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin e ditës së Çlirimit të vendit dhe mbi të gjitha dinë të njohin kontributin e Luftës Nacionalçlirimtare. Prandaj, aktivitete si ky i sotmi në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave kanë mbështetjen e Komitetit Shtetëror për organizimin e veprimtarive gjatë këtij viti. I nxis institucionet e tjera që të promovojnë vlerat e kësaj lufte, që të mund t’ua transmetojmë brezave”- u shpreh ministri.

Më tej, mbajti një fjalë rasti edhe drejtoresha e AQSHF-së, e cila e vlerësoi bashkëpunimin me DPA-në në këtë përvjetor të rëndësishëm për vendin. “80-vjetorin e Çlirimit e nisim me ‘Tomka dhe shokët e tij’. Në vijim do të kemi filma, si: ‘Lulëkuqe mbi mure’, ‘Nusja dhe shtetrrethimi’, ‘Gjenerel Gramafoni’ etj. Këto filma do të jenë të restauruar. Përmes tyre do mësojmë jo vetëm mbi historinë e vendit, por edhe do të risjellim muzikën, që i është kushtuar Luftës Nacionalçlirimtare”- tha Ndria.

Kalendari i aktiviteteve të Kinemasë Verore pranë DPA-së do të zgjasë deri në muajin nëntor. Repertori i filmave të përzgjedhur do të risjellë në vëmendjen e publikut kryeqytetas disa prej realizimeve artistike të kinematografisë shqiptare. Mes 10 filmave që do të shfaqen, si një përkujtesë të betejës së vendit për çlirimin nga pushtuesit nazifashist, bëjnë pjesë: “Partizani i vogël Velo”, “Mëngjese lufte”, “I teti në bronz”, “Njeriu me top”, “Malet me blerim mbuluar” etj.

Në kuadër të këtij jubileu kombëtar, DPA-ja do të angazhohet edhe përmes prezantimit të ekspozitave, publikimit të albumeve fotografike dhe të botimeve, në lidhje me tematikën e betejës të të parëve për liri ndaj thundrës së pushtuesve.

Kinemaja Verore, e cila zotëron një kapacitet prej 140 ulësesh i adresohet veçanërisht të rinjve, përmes një shërbimi që ndërthur edukimin me zbavitjen. Jetësimi i kësaj hapësire vjen në vazhdën e nismave të herëpashershme të DPA-së, në funksion të inkurajimit të nxënësve dhe të studentëve për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.

Së bashku me Hapësirën e Studimit në Natyrë, me sallën shumëfunksionale të përuruar së fundmi, si edhe me Muzeun Arkivor që pritet të hapë dyert së afërmi, DPA-ja ofron një alternativë kulturore bashkëkohore. (ATA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë