Shendet

Virusi respirator sincicial (RSV) shton rastet në spitale, mjekët: Më të prekurit fëmijët 0-5 vjeç

Nga Gazeta Si- “Kam prej 2 javësh në shtëpi, pasi djali më frekuenton parashkollorin dhe është me virozë. Ka kollë dhe nga vizita me pediatrin rezultoi i bllokuar në rrugët e frymëmarrjes. Kam frikën e një pneumonie kronike pasi sa herë ndryshojnë temperaturat ai sëmuret”.

Valbona është nënë e 2 djemve, njëri 7 dhe tjetri 5 vjeç. Temperaturat që ndryshojnë nga mëngjesi në darkë e kanë rritur alertin tek ajo pasi i duhet të ndjekë fëmijët, kur sëmuret njëri, e më pas tjetri.

“E marrin në parashkollor, atje shkojnë fëmijë me kollë dhe teshtitje. Nuk e di pse duhet t’i dërgojnë të sëmurë fëmijët në shkollë”, thotë Valbona.

Të pyetur nga Gazetasi.al, mjekë pediatër në QSUT thonë se në vendin tonë po qarkullojnë viroza të ndryshme, virusi RSV që njihet si sincicial dhe Covid-19.

Por ndryshe nga virozat e tjera apo Covid, për moshat pediatrike 0-5 vjeç, virusi sincicial është i rrezikshëm.

“RSV është shkaku mbizotërues i infeksionit akut të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes tek fëmijët e vegjël dhe vlerësimet tona të përditësuara tregojnë se fëmijët gjashtë muajsh e më të vegjël janë veçanërisht të prekshëm. Shumica e fëmijëve të vegjël të lindur në dy vitet e fundit nuk kanë qenë kurrë të ekspozuar ndaj RSV (dhe për këtë arsye nuk kanë imunitet ndaj këtij virusi)”, thonë pediatrit.

Në disa raste, RSV mund të çojë në bronkiolit, një infeksion inflamator që mund të vështirësojë frymëmarrjen.

Simptomat e hershme janë të ngjashme me ato të një ftohjeje të zakonshme, por mund të zhvillohen brenda disa ditësh në një temperaturë të lartë, një kollë të thatë dhe të vazhdueshme, vështirësi në të ushqyer dhe gulçim.

Në rajonin e Europës, RSV është një virus tipik sezonal (vjeshtë-dimër) dhe jep probleme me frymëmarrjen që mund të shkaktojnë sëmundje serioze, të tilla si pneumonia dhe bronkioliti, tek fëmijët e vegjël dhe individët e prekshëm për shkak të moshës dhe gjendjeve shëndetësore themelore, që kërkojnë shtrim në spital.

Vlerësimet globale, vetëm për fëmijët nën 5 vjeç, tregojnë afërsisht 3.6 milion shtrime në spital në vit, mbi 200,000 në Europë.

“Shumica e shtrimeve në spital të lidhura me RSV ndodhin tek të porsalindurit e shëndetshëm në kohë të plotë”, thonë ekspertët e shëndetit publik.

Vaksina e re RSV gati për të dalë në treg

Parandalimi i virusit respirator sincicial (RSV) tek foshnjat mund të zgjerohet së shpejti për të përfshirë një opsion shtesë.

Ky është një antitrup i ri profilaktik monoklonal, clerovimab, i zhvilluar për të siguruar deri në pesë muaj mbrojtje kundër sëmundjeve të traktit të poshtëm respirator tek foshnjat dhe fëmijët.

Komiteti për Produkte Medicinale për Përdorim Njerëzor (CHMP) i Agjencisë Europiane të Barnave (EMA) ka rekomanduar së fundmi miratimin për këtë antitrup monoklonal.

Deri më sot, ekzistojnë dy antitrupa monoklonalë në dispozicion (palivizumab, i cili kërkon doza të përsëritura, dhe nirsevimab, i cili është afatgjatë), dhe një vaksinë e rezervuar për gratë shtatzëna për imunizim pasiv të të porsalindurve.

Antitrupi i Ri Monoklonal

Clesrovimab është një antitrup i ri monoklonal me veprim të gjatë që mund të administrohet në të njëjtën dozë për të gjithë të porsalindurit pavarësisht nga pesha.

Indikacionet për përdorim përfshijnë administrimin tek fëmijët gjatë sezonit të tyre të parë epidemik, domethënë tek ata që kanë lindur gjatë sezonit, ose pak para fillimit të vjeshtës për fëmijët e lindur në muajt e mëparshëm.

Miratimi Europian pritet deri në fundin e vitit

Prodhuesi njoftoi se antitrupi i ri monoklonal mund të miratohet në nivel europian që në fund të vitit.

Efikasiteti dhe siguria e ilaçit, tashmë i miratuar në SHBA, bazohen në dy studime klinike që e testuan atë tek foshnjat e lindura në kohë dhe të parakohshme deri në një vjeç, dhe e krahasuan atë me palivizumab tek foshnjat me rrezik të shtuar (palivizumabi është i përdorur për fëmijët që konsiderohen me rrezik më të lartë të sëmundjes RSV).

Efikasiteti kundër shtrimeve në spital në 5 muaj ishte 84% krahasuar me placebo, ndërsa antitrupi i ri tregoi efikasitet krahasuar me injeksionet mujore të palivizumab. Eritema, ënjtje në vendin e injektimit dhe skuqje ishin reaksionet anësore më të zakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë