Nga Gazeta Si- Në vendin tonë po qarkullon intensivisht gjatë kësaj periudhe, bashkë me virozat e stinës, edhe virusi Covid-19, duke bërë që numri i të prekurve të rritet ndjeshëm, sidomos në 3 javët e parë të muajit korrik, kur vendi ynë u përfshi nga një valë e të nxehtit me temperatura rekord që u ngjitën deri në 43 gradë.
Sipas ekspertëve të shëndetit publik, ndonëse rrallë, afro 4 nga dhjetëra vizita në ditë, raportohen të prekur nga Covid-19, pas përgjigjes pozitive të tamponit.
“Covid-19 vazhdon, paraqitet në formën e prekjes së aparatit të poshtëm të tretjes, gastro-intestinale, por nuk janë raste të rënda. Ajo që konstatojmë është një rënie e vigjilencës dhe kujdesit nga ana e pacientit, pasi mendojnë se Covid ka ikur. Në shërbimin parësor janë 3-4 raste çdo ditë që diagnostikohen me Covid-19. Më vulnerabël janë fëmijët dhe të moshuarit por nuk paraqet rrezik për shëndetin”, thonë mjekët.
Ekspertët e shëndetit publik thonë se rreziku shtohet kur persona që mund të jenë infektuar me Covid-19, paraqiten direkt në urgjencë, duke ngatërruar simptomat e Covid që janë diarretë, apo të vjellat, dhe kështu bëhen burim infeksioni dhe për kategori pacientësh që mund të kenë dhe sëmundje bashkëshoqëruese.
Ndërkohë, mjekët thonë se një nga shkaqet e përkeqësimit të shëndetit është dhe mbivendosja e virozave të stinës me Covid, çka shton problematikat dhe ul mbrojtjen imunitare.
Si pasojë e mbivendosjes, pacienti mund të vuajë probleme të ndryshme njëkohësisht, siç janë prekja e mushkërive, një rritje të temperaturës për disa ditë por dhe diarre të zgjatur, çka bën që koha e qëndrimit në shtrat të jetë më e gjatë dhe rikuperimi të zgjasë më shumë se 5 ditë.
“Kemi pacientë që po mjekohen me terapi anti-covid si pasojë e prekjes së dyfishtë dhe nga virozat dhe nga Covid. Kujdesi duhet të jetë i lartë, sidomos nga ftohja prej kondicionerit në makinë apo shtëpi, pasi ka pacientë që janë të prekur nga pulmoni e duhet të trajtohen me antibiotikë.
Mjekët bëjnë apel që në të gjitha rastet kur konstatohet një gjendje të dobët dhe simptoma të tilla që ngjajnë me virozat e stinës, personat tu drejtohen qendrave shëndetësore për të kryer tamponin për Covid e më pas të konsultohen me mjekun e familjes për terapinë me medikamente që duhet të përdorin, për të shmangur kështu blerjen e ilaçeve pa konsultën e mjekut në farmaci.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




