Nga Gazeta ‘Si’ – Në kulmin e situatës epidemiologjike, me viroza dhe viruse gripi në qarkullim, Covid-19 apo meningjit bakterial akut, spitalet tona po përballen me fluks pacientësh, fëmijë dhe adultë të moshave të ndryshme.
Por, fatkeqësisht jo të gjithë zbatojnë zinxhirin e referimit, çka do të thotë se në urgjencë paraqiten raste nga më të lehtat deri tek më të rëndat.
Nisur nga ngjarja e rëndë në Shkodër, ku një fëmijë 3-vjeç humbi jetën pasi dyshohet se u helmua me bar miu, mjekë të familjes të pyetur nga Gazetasi.al e shohin këtë rast si shembull tipik të neglizhencës së mjekëve të spitalit.
“Në çdo rast, kur pacienti paraqet një nga simptomat si temperaturë të lartë, të vjella, mjeku i urgjencës duhet të kryejë ekzaminimet e gjakut, si pjesë e protokollit mjekësor të urgjencës”, thonë burime për Gazetasi.al.
Por a kryhen këto analiza zakonisht në spital?
Të pyetur nga Gazetasi.al disa prindër që kanë patur fëmijët të sëmurë në këtë periudhë, tregojnë se kur janë paraqitur në urgjencë me fëmijën e sëmurë me temperaturë të lartë, hapi i parë që kanë kryer mjekët e urgjencës ka qenë vënia në serum dhe dhënia e antiiflamatorëve për uljen e temperaturës.

“Vetëm pasi ka kaluar 24 orë dhe mjekët vendosin ta shtrojnë në pavion, fëmijës i janë kryer analizat e gjakut”, thotë Ina, prind i një vajze 4 vjeç.
Sipas saj, në çdo rast kur janë paraqitur në urgjencë këtë periudhë virozash, pas serumit dhe qetësimit me antiiflamatorë, vajzën e kanë marrë në shtëpi.
“Derisa mjeku më thotë është virozë dhe fëmija më është qetësuar, nuk e kam parë të arsyeshme ta çoj sërish. Kurse analizat e gjakut i kam kryer më vonë, me rekomandimin e pediatres në klinikë private”, thotë një tjetër prind.
Por pse nuk kryhen analizat e gjakut për çdo pacient që paraqitet në spital?
Burime për Gazetasi.al e shohin si problem faktin që në urgjencë pranohen raste nga më të lehtat, duke shmangur sistemin parësor, mjekun e familjes.

“Duke qenë në presionin e pacientit dhe familjarëve të tij, që për një temperaturë të lartë nisen drejt në spital, ndodh që dhe stafi mjekësor i urgjencës të mbingarkohet dhe të neglizhojë protokollin. Në asnjë rast ata s’duhet të mbajnë gjatë pacientë që mund të mjekohen dhe nga mjeku i familjes”, thonë burimet.
Kryerja e analizave të gjakut në urgjencën e spitalit, sipas protokollit, bëhet pasi pacienti vizitohet nga mjeku i urgjencës.
Por në shumicën e rasteve, jo të gjithë e zbatojnë këtë. Sepse kryerja e analizave kërkon kohë dhe angazhim nga personeli mjekësor, që në kulmin e situatës epidemiologjike, po përballet dhe me mungesë stafi, sidomos në spitalet e rretheve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



