Futboll

Vinicius Junior zgjidhet ‘The Best’ nga FIFA/ Silvinjo i dha pikët maksimale, Gjimshiti nderoi legjendën e Gjermanisë

Nga Gazeta Si - Vinicius Junior është shpallur fituesi i çmimit ‘The Best’, lojtari më i mirë i vitit nga FIFA. Braziliani u vlerësua për sezonin e jashtëzakonshëm me Real Madrid ku ishte protagonist si në La Liga ashtu edhe në Champions League. Çmimi vjen vetëm pak javë pasi u rendit i dyti për ‘Topi i artë’, renditje që shkaktoi shumë polemika, aq sa ekipi i Realit refuzoi në orët të fundit që të ishte pjesë e ceremonisë.

Pas çmimit ‘The Best’ Vinicius është shprehur se ‘shumë persona janë përpjekur ta zhvlerësojnë, zvogëlojnë, por nuk ia kanë dalë’.

“Sot i shkruaj fëmijës që ka parë kaq shumë idhuj duke e ngritur atë trofe”, ka postuar Vinícius në Instagram.

"Ka ardhur koha e tij. Ose më mirë, ka ardhur koha ime. Koha për të thënë ... po, unë jam lojtari më i mirë në botë dhe kam luftuar shumë për të. Janë përpjekur të më zhvlerësojnë, të më zvogëlojnë por nuk ia kanë dalë. Askush nuk do të më thotë se për kë duhet të luftoj, si duhet të sillem. Fitova për veten time, për familjen time. Me shumë mbështetje gjatë rrugës: Flamengo, Real Madrid, kombëtarja braziliane, bashkëlojtarët e mi ndër vite... njerëzit që më shoqërojnë çdo ditë në rutinën time, ata që më admirojnë... Lojtari më i mirë në botë”.

Për ironi, në vend të dytë doli Rodri, i cili këtë vit mori Topin e Artë ndërsa vendi i tretë shkoi për Jude Bellingham.

Carlo Ancelotti rrëmbeu çmimin e trajnerit të vitit ndërsa Emiliano Martinez u shpall portieri i vitit.

Çmimi ‘The Best’ i organizuar nga FIFA akordohet nga votat e 4 komponentëve: trajnerët dhe kapitenët e ekipeve kombëtare, gazetarët dhe tifozët. Vota e secilit ka vlerën e 25%, ndërsa është zbuluar edhe si ka votuar Shqipëria.

Trajneri Silvinjo i ka dhënë 5 pikë Vinicius, 3 Rodrit dhe 1 pikë Jude Bellingham. Ndërkohë, kapiteni Berat Gjimshiti ka zgjedhur të japë 5 pikë për Toni Kroos, i cili tashmë shtë tërhequr nga futbolli, 3 Viniciusit dhe 1 pikë Rodrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë