Preferenca për Euron vijon të rritet në Shqipëri. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 6-mujorin e parë të vitit, tregojnë se pesha e primeve të shkruara në Euro kundrejt totalit u rrit në 31%, nga 27% që kishte qenë në fund të vitit 2020. Ky nivel është i përafërt me fundin e vitit 2019, para se vendi të prekej nga Covid-19.
Vitin e kaluar, pandemia solli rënie në shërbimet ku primet arkëtohen kryesisht në Euro, siç janë produktet e sigurimit të detyrueshëm të Kartonit Jeshil e Sigurimit Kufitar. Por, këtë vit këto produkte janë ringritur falë lehtësimit të kufizimeve të lëvizjes. Kjo ndikoi në rritjen e Euroizimit në grupin e produkteve me peshën kryesore në treg, atë të sigurimeve motorike, ku rreth 19% e primeve rezultuan në valutë të huaj.
Të tjera klasa me rritje të nivelit të Euroizimt të primeve janë Sigurimet e Aviacionit, ku primet në euro kanë arritur në pothuajse 100%, Sigurimi i Garancive me rritje të peshës, me rritje nga 16% në 23%, Sigurimin e Pronës, me rritje nga 53% në 59% dhe Sigurimin e Përgjegjësisë Civile, me rritje të peshës së primeve në euro nga 45% në 49%.
Në disa raste, Euroizimi i shërbimevve lidhet me karakteristika specifike të tyre. Produktet si Sigurimi i Mallit në Transport apo Sigurimet Inxhinierike paraqesin një nivel të lartë Euroizimi për shkak të interesit të siguruar nga këto kontrata, interes i cili vlerësohet kryesisht në Euro në rastet e import-eksporteve dhe sigurimeve inxhinierike që përfshijnë vepra madhore të infrastrukturës, përfshirë ato me shoqëri ndërkombëtare. Megjithatë, Euroizimi është i shtrirë edhe në shërbime të tjera, ku në pamje të parë nuk ekziston ndonjë domosdoshmëri e kuotimit të primeve në monedhën ndërkombëtare, siç mund të jetë sigurimi vullnetar kasko apo i sigurimi i pronës.
Ndarjet që kanë shfaqur rënien më të theksuar të primeve të shkruara në Euro në gjysmën e parë të vitit janë Sigurimi i Aksidenteve dhe Shëndetit, me rënie të peshës nga 61% në 56%, pasuar nga Sigurimi i Mallit në Transport, me rënie nga 69% në 65%.
Sipas dy segmenteve kryesore të tregut, rritja e Euroizimit u përcaktua kryesisht nga sigurimet e jo-jetës, ku shkalla e Euroizimit të primeve u rrit në 31%, nga 26% në vitin 2020. Ndërkohë, në tregun e sigurimit të jetës Euroizimi pësoi rënie në 34%, nga 37% që kishte qenë vitin e kaluar.
Në fund të vitit 2020, shoqëritë e sigurimeve zotëronin rreth 12 miliardë lekë depozita, nga të cilat 50% ishin të mbajtura në valutë të huaj. Pesha e depozitave në valutë është rritur me 6 pikë përqindje krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Në depozitat në valutë të huaj, peshën kryesore e zënë depozitat e investuara në Euro, të cilat zënë rreth 85.5% të depozitave totale në valutë dhe 43.1% të depozitave totale.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë nënshkruan në muajin prill 2017 një Memorandum Bashkëpunimi “Për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare”. Tre institucionet u angazhuan të ndërmarrin veprime për të ulur nivelin e përdorimit të monedhave të huaja në ekonomi, sipas sektorëve të cilët mbikëqyrin apo monitorojnë. Megjithatë, deri tani vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa konkrete në shërbim të këtij qëllimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.