Ka ndodhur

Vijon prej 4 ditësh zjarri në malin e Çikës, ushtria nis ndërhyrjen nga toka

Gazeta Si – Sa vjen e përkeqësohet situata e zjarrit në malin e Çikës në Vlorë. Prej mbrëmjes së të mërkurë, flakët janë duke përparuar dhe sipas banorëve të zonës po i afrohen fshatit turistik të Dhërmiut, i cili në këtë periudhë është i populluar nga një numër i lartë pushuesish.

Në pjesën e Himarës dhe Llogorasë zjarri po zbret në shpatin e kodrës dhe kufizohet me një përrua, ç’ka mund ta ndërpresë vijimin e tij. Gjithashtu nuk ka pasur ndërhyrje nga ajri, pasi helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes janë në remont.

Gjatë paradites së të premtes ka nisur ndërhyrja nga toka, ku forcat e ushtrisë do të mbështesin autoritetet lokale.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën të ditur se një operacion masiv është organizuar në terren për shuarjen e tij, ku janë angazhuar rreth 100 trupa të Forcave të Armatosura dhe 20 forca nga zjarrfikësit lokalë, Administrata e Zonave të Mbrojtura dhe punonjës të bashkisë Himarë.

Në zonë kanë shkuar edhe forca zjarrfikëse të Himarës, ndërsa vetë banorët po përpiqen që të shuajnë zjarrin, por terreni i vështirë nuk i ka favorizuar.

Vatra mbetet aktive prej katër ditësh, ndërsa deri tani janë djegur sipërfaqe e konsiderueshme me pyje dhe shkurre.

Qarku i Vlorës ka qenë më problematiku deri tani për sa i përkeq situatës së zjarreve.

Në lidhje me këtë situatë, presidenti Ilir Meta, ka reaguar ashpër për zjarrin në malin e Çikës.

Në një postim në Facebook, Meta i bën thirrje qeverisë që të ndërpresë me urgjencë pagesat fiktive për inceneratorët dhe të shtohet fondi për mbrojtjen nga zjarret.

“Për fat të keq, qeveria që paguan çdo ditë mijëra euro për mafien e inceneratorëve, vijon të mos shpenzojë as 1 cent për të shtuar fondin për mbrojtjen nga zjarret, – deklaron Meta. – Lënia në mëshirë të fatit të pasurisë natyrore dhe moskokëçarja përballë kërcënimit serioz të shëndetit, jetës dhe pronës së qytetarëve është tronditëse!”.

Ai i bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse qendrore dhe vendore, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile të ngrihen në këmbë, të marrin në dorë situatën dhe të reagojnë me urgjencë.

“E konsideroj kriminale mosnxjerrjen e mësimeve nga e kaluara dhe mosveprimin në kohë në lidhje me zjarret”, – vijon postimi i presidentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë