Në Mitrovicë të Veriut mbrëmjen e së martës (20 dhjetor)kanë ndodhur dy shpërthime, që dyshohet të jenë shkaktuar nga hedhja e shok bombave.
Sipas Policisë, njësitë patrulluese policore kanë raportuar se shpërthimet kanë ndodhur rreth orës 20:45 dhe 21:20 në Lagjen e Boshnjakëve dhe te Tre Rrokaqiejt.
Nuk ka raportime për të lënduar apo dëme materiale.
Sakaq, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njoftoi se shpërthimi në Lagjen e Boshnjakëve ndodhi në afërsi të ekipit të televizionit Tv1: “Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për situatën e krijuar në veri të vendit dhe u bën thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar përgjatë raportimeve nga kjo zonë”.
Që nga fillimi i dhjetorit, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe bomba trullosëse. Sakaq, prej 11 ditësh, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara për shkak të barrikadave të ngritura nga serbët lokalë.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, akuzoi kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiç, se së bashku me “bandat kriminale e të armatosura” po bllokojnë qytetarët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




