Nga Gazeta Si - E madhe ka qenë pjesëmarrja e prindërve, nxënësve por edhe qytetarëve të tjerë në protestën e organizuar pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Po kaq e madhe edhe mëria dhe indinjata që ata dhe të gjithë të tjerët kanë ende!
Në duart e tyre shihje karafilë të bardhë dhe pankarta të tilla si: “Martin Cani një fëmijë më pak, një dështim më shumë”, “Pse bën sikur jeton në një vend normal”, “Heshtja jonë po na vret fëmijët. Sa viktima duhen që ne të ngremë zërin?”, “Martin, të kemi vrarë të gjithë nga pak”. Qindra syresh kanë marshuar këtë të enjte nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit në Tiranë. Marshimi i ngjante më shumë një kortezhi mortor, i cili kërkoi drejtësi për të miturin e vrarë me thikë pak metra larg shkollës së tij dhe më shumë siguri nga autoritetet në shkolla dhe në vend.
Teksa ecim bashkë me protestuesit, dy gra që ishin pjesë e protestës thonë se kjo ngjarje tragjike i ka bërë të rimendojnë edhe të ardhmen e tyre.
“Kam frikë të bëj fëmijë në këtë vend, nuk e di nëse fëmijën do të ta vrasë një fëmijë tjetër, do vritet për shkak të një atentati siç ndodhi në Shkodër, do e përplasë një makinë siç ndodhi me një 10-vjeçar para ca ditësh. E kupton ku jemi?! Jemi në situatën ku kemi frikë të bëjmë fëmijë”, thotë njëra prej tyre për Gazetasi.al.
Mes lotësh, protestuesit thonë se do të donin që të ishin më shumë njerëz të pranishëm, sepse vetëm kështu mund të ketë një reagim nga ana e institucioneve, përkatësisht nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe ministres Ogerta Manastirliu.
Të gjithë kërkonin dorëheqjen e ministres. Por ndërsa e bërtisnin këtë, një punonjëse e Ministrisë doli në dritare dhe po fliste ndërsa drejtonte gishtin nga protestuesit. Kjo situatë ka acaruruar më tej protestën, duke bërë që qytetarët të bërtasin njëzëri “Zhdukuni!”
Në protestë nuk mungonin as shokët dhe shoqet e Martinit, që mes lotësh po ndiqnin fjalën e pjesëmarrësve. Por për ta (dhe të tjerët) duket se një protestë nuk është zgjidhja.
“Nuk zgjidhet asgjë kështu, dhe kjo do kalojë e ne do vazhdojmë njësoj nëpër shkolla”, u shpreh një prej djemve të pranishëm.
Ndërsa një shoqe klase e Martinit tha se ndjehen të pasigurtë në shkollë, ku kanë qenë jo të pakta rastet ku nxënës të ndryshëm kanë shkuar në shkollë me thika, për të treguar se janë të fortë.
“Në shkollën tonë vijnë nxënës me thika dhe askush nuk reagon. Madje dhe kur ndodhi ngjarja, shkolla vendosi që ditën e nesërme të bëhet mësim normal, duke na kërkuar që të shkojmë në shkollë sikur nuk ka ndodhur asgjë ndërkohë që ne kishim humbur shokun e klasës”, u shpreh një nga nxënëset e Shkollës “Fan Noli”.
Kjo protestë është shtrirë përtej Tiranës, ku pjesë ishin edhe qytetarë nga qytete të tjera si Lezha apo Durrësi.
Paulo Luca ishte një prej tyre. Nxënës në gjimnazin e Lezhës, Luca tha se për të, përgjegjësia bie mbi politikën, e cila po dështon në mbrojtjen e fëmijëve.
“Jemi të pambrojtur. Nuk kemi siguri as në shkollë e as në rrugë. E keqja është se kemi edhe frikën për të reaguar dhe ndjej keqardhje që jemi vetëm kaq në këtë protestë por unë e di shumë mirë pse jemi vetëm kaq. Unë në shkollën time iu thashë nxënësve që të vijnë dhe më thanë që nuk munden sepse prindërit nuk i lejojnë ose sepse prindërit rrezikojnë vendin e punës, është e papranueshme”, tha Luca ndër të tjera.
Ndërsa Megi, nga Shkolla Tekniko-Ekonomike thotë se nuk e kupton hipokrizinë e politikës.
“Dikush të më përkthejë gjuhën e politikës kur ministrja thotë se nuk mban përgjegjësi sepse ngjarja ndodhi jashtë dyerve të shkollës”, tha ajo. E reja kërkoi që të pranishëm të ishin të gjithë nxënësit e shkollave dhe sot duhej të kishte bojkot të mësimit.
Tik-Tok nuk është i vetmi fajtor
Referuar deklaratës së bërë dje nga kryeministri Edi Rama se do ketë konsultime për mbylljen e TikTok dhe Snapchat, prindërit shprehen se kjo nuk është aspak zgjidhje.
“Nuk mund t’i vihet fatura vetëm Tik-Tok dhe Snapchat. Fajtorë janë të gjithë, duke filluar nga Ministria e Arsimit e deri tek mësuesit, rojet e shkollave, oficerët e sigurisë apo dhe psikologët”, tha një prej protestuesve.
Një tjetër tregon se nëse do të mbyllet Tik-Tok apo Snapchat, fëmijët përsëri do të jenë të ekspozuar ndaj shembujve të këqinj, pasi “ndodhen kudo, në shkolla, në televizione, nëpër emisione". "Duhet të merren masa drastike, jo këto lloj masash”, shprehen të rinjtë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.