Futboll

Vieira godet tifozin e Evertonit, tension dhe shkelma në Angli

Gazeta Si – Nerva dhe shkelma në Premier Ligë. Evertoni siguron qëndrimin në javën e parafundit të kampionatit dhe tifozët pushtojnë fushën. Trajneri Patrik Vieira konfrontohet fizikisht me një tifoz kundërshtar.

Akte çmendurie në “Goodison Park” nga tifozët e ekipit vendas dhe nga trajneri frabncez. Goli i fitores 3-2 të Evertonit ndaj Kristal Palasit shkaktoi një festë, që doli jashtë kontrollit në këtë stadium.

Vieira dhe Lampard gjatë ndeshjes. Gazeta Si, 20 maj 2022

Kalvert-Leuin shënoi golin e fitores 5 minuta para fundit, duke bërë që Evertoni të kalojë Kristal Palasin në renditje. Ishte një përmbysje e madhe e Evertonit, pasi Kristal Palas kryesonte 0-2. Në fund situata doli jashtë kontrollit.

Shkallët e stadiumit të Evertonit u boshatisën, sepse tifozët pushtuan fushën. Një nga tifozët më të çmendur iu afrua trajnerit të ekipit mik, Patrik Vieira, të cilin e provokoi me gjeste dhe fyerje.

Trajneri francez reagoi fillimisht duke e kapur me duar, më pas e goditi me shkelm, duke e e rrëzuar në tokë. Për pak sa nuk shpërtheu një zankë masive me grupin e tifozëve të Evertonit. Këta të fundit, fatmirësisht, patën kthjelltësinë për të mos e vazhduar sulmin.

Pamjet e kësaj ngjarjeje, të filmuara me telefonë, kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale. Tashmë gjithçka ka kaluar në dorë të ‘Football Association’, që me siguri do të marrë masa ndaj klubit të Evertonit dhe trajnerit francez. Pritet dënim shembullor për të dhe klubin vendas.

“Nuk kam asgjë për të thënë për këtë çështje”, – u shpreh trajneri Vieira, duke iu përgjigjur një pyetjeje në konferencën e shtypit pas ndeshjes. Nervozizmi bën të vetën në të tilla raste, por Vieria nuk mund t’i shpëtojë dënimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë