Ka ndodhur

Vidhte telefona e portofola, arrestohet 39-vjeçari në Elbasan

Një 39-vjeçar është vënë në pranga, pasi ishte kthyer në makthin e qytetarëve në Elbasan, duke u vjedhur atyre portofola, çanta apo celularët.

Gjatë operacionit të koduar “Përsëritësi” u arrestua F. Z., 39 vjeç, banues në Elbasan, i cili akuzohet për të paktën 4 vjedhje të zbardhura nga policia.  

Sipas policisë, arrestimi i tij u bë në flagrancë në lagjen “5 Maji” në Elbasan, ku 39-vjeçari i ka vjedhur portofolin shtetases A. D.

“Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autor dhe i 4 vjedhjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Elbasanit, konkretisht: Më datë 01.02.2021 dyshohet se i ka vjedhur një aparatin celular shtetases V. B.; Më datë 29.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases L. D.; Më datë 28.01.2021 dyshohet se i ka vjedhur portofolin shtetases M. T.; Më datë 18.12.2020 dyshohet se i ka vjedhur çantën shtetases B. Ll”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që dyshohen se janë kryer ky shtetas.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë