Ka ndodhur

Vidhnin në biznese dhe banesa, arrestohen 3 të rinj në Fier

Gazeta Si – Tre të rinj nga Vlora, mes të cilëve edhe një i mitur, janë arrestuar për vjedhje në Fier. Policia thotë se ata janë autorë të tre vjedhjeve të kryera gjatë muajit tetor në biznese dhe banesa.

Njëri nga autorët rezulton i dënuar më parë për vjedhje me armë dhe me dhunë, në një argjendari në Vlorë, ndërsa gjatë kontrollit kishte me vete një sasi lënde narkotike kokainë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar para dhe sende të vjedhura, një automjet i marrë me qira nga autorët për të shkuar në vendet ku vidhnin, si dhe një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.

Konkretisht, janë vënë në pranga:

-20-vjeçari me iniciale M. K., banues në Vlorë, i dënuar më parë për vjedhje me armë dhe me dhunë, në një argjendari në Vlorë, i cili në momentin e arrestimit kishte me vete, një sasi lënde narkotike kokainë;

-19-vjeçari me iniciale G. V., banues në Vlorë;

-një 16-vjeçar, banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore rezultoi se të rinjtë në bashkëpunim me njëri-tjetrin:

-më datë 12.10.2023, kanë vjedhur një shumë parash dhe celularë, në një servis për këto pajisje, në Ballsh;

-më datë 13.10.2023, kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit A. Y., në fshatin Varibob;

-më datë 31.10.2023, kanë vjedhur një shumë parash, në një dyqan në Ballsh;

-më datë 31.10.2023, kanë vjedhur një shumë parash dhe disa kamera sigurie, në një biznes në fshatin Cakran.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë