Drejtësia

Vidhnin monedha floriri dhe sende luksi në Francë, SPAK: Grupi kriminal ka qarkulluar mbi 2.8 milionë euro

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë informacion zyrtar lidhur me arrestimin e 12 personave, anëtar të një grupi të strukturuar kriminal që vidhni në Francë sende luksi me vlera të larta, e më pas pastronin paratë si në territorin francez ashtu dhe në Shqipëri.

SPAK njofton se ky grup kriminal përbëhej nga 17 persona, nga të cilët deri tani Policia e Shtetit ka mundur të ekzekutojë vetëm 12 masa sigurie të caktuara nga gjykata.

Ky aktivitet që kryhej në Francë dhe Shqipëri bëhej nga dy grupe. Sipas SPAK, në lidhje me grupin e parë, rezulton se personat nën hetim pas grumbullimit të sendeve të vjedhura në territorin francez dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale, pasi i depozitonin në një hotel, ua jepnin ato në dorëzim për t’i transportuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.

Në lidhje me grupin e dytë, rezulton se personat nën hetim, në bashkëpunim me anëtarët e grupit të parë, kanë ushtruar veprimtarinë e tyre kriminale duke transportuar shuma monetare në sasi të madhe, dhe të padeklaruara nga Shqipëria-Francë. Këto shuma të përdorura për blerjen e sendeve të luksit, kapin një shifër prej 724,386 Euro, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, pa përfshirë këtu shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme që kapin vlerën e 2.113.000 Euro dhe 35.000 Franga.

Pra, një shifër kjo në total mbi 2.8 milionë Euro.

Përveç këtyre shumave monetare personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg sende të çmuara (flori). Produktet e luksit të blera në territorin francez nga këta shtetas janë transportuar në Shqipëri nga vetë ata si dhe bashkëpunëtorët e tyre nëpërmjet kompanive të transportit Francë-Shqipëri. Këto sende më pas janë futur kontrabandë në territorin shqiptar, të cilët janë shitur tek persona të ndryshëm duke fshehur njëkohësisht edhe të ardhurat e fituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Në vendin tonë, policia sekuestroi 65,300 Euro, 9900 Dollarë kanadezë, 60 ora dore luksoze, bizhu, 2 monedha ari, syze dielli luksoze etj. Nga 17 urdhër-arrestet e lëshuara nga SPAK, janë ekzekutuar deri tani 12 të tilla. Në mesin e personave të arrestuar është edhe ish-shoferi i Ardi Veliut, Sokol Idrizaj dhe bashkëshortja e tij. Idrizaj ka qenë shofer i Veliut kur ky i fundit mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe që tani është drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Poilicore.

Ndërsa në Francë, autoritetet atje kanë sekuestrua 215 569 Euro, 115 bizhu të ndryshme, 50 orë dore luksoze. Si dhe janë arrestuar 13 persona të tjerë në Francë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë