Gazeta Si – Policia ka goditur një grup kriminal në fushën e vjedhjes së makinave, mjeteve lundruese dhe banesave, që vepronte në Durrës dhe Tiranë.
Sipas policisë në operacionin e koduar “Theft network”, u arrestuan 4 persona dhe një tjetër u shpall në kërkim, ku në pranga u vunë shtetasit: Donald Subashi, Denis Marku, Elvis Muça dhe Artur Lama.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një grup që kryente vjedhje në qarkun e Durrësit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Theft network”. Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve: D.S., 26 vjeç, banues në Marikaj; D.M.,18 vjeç, banues në Shkodër; E.M., 38 vjeç, banues në Mamurras; A.L., 48 vjeç, banues në Mamurras.Si dhe u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E.Z., 49 vjeç, banues në Tiranë”.
Policia ka zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore 4 vjedhje të kryera në Sukth, në fshatin Bilalas dhe në Mullet, Tiranë si dhe vijon puna për dokumentin e një sërë vjedhjesh të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky grup.
“Si rezultat i veprimeve hetimore u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i ngjarjeve: Vjedhja e mjetit lundrues skaf e shtetasit S. K., në Sukth; Vjedhja në tabakinon e shtetasit R. V., në fshatin Bilalas; Vjedhja e dy automjeteve e konkretisht furgon dhe kamionçinë, të vjedhura në Mullet Tiranë më datë 13.02.2025”.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një mjet lundrues, një automjet kamionçinë, rrobat e përdorura nga personat e dyshuar në vjedhjen e tabakinos së shtetasit R. V., dhe katër aparate celularë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




