Drejtësia

KLGJ e pezullon për videot në Tik-Tok, gjyqtarja Kapedani: Po bëhem “kokë turku”! Cilin shkela në kallo?

Këshilli i Lartë Gjyqësor, ka vendosur pasditen e të hënës pezullimin nga detyra të gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani deri në fund të hetimeve.  

Anëtarët e KLGJ-së kanë votuar unanimisht për pezullimin e gjyqtares, pas publikimit të disa videove të 35-vjeçares në platformën sociale Tik-Tok.

Më herët, Kapedani ka dhënë dorëheqjen, duke e komunikuar vendimin e saj në seancën dëgjimore të Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku ka dhënë sqarime për videot e publikuara.

“Po e nis mbrojtjen me një ndjesë të thellë publike. Kam pritur gjatë të dal para jush, kjo për shkak të një vendimi të dhënë nga unë që më ndjek e përndjek edhe sot. Nuk kam kryer asnjë akt korruptiv apo shkelje, jam gjyqtare e denjë. Jam nënë e dy fëmijëve dhe punoj me orar të zgjatur, deri në 15 seanca gjyqësore në ditë. I kam bërë foto vetes në zyrë, por për shkak të lodhjes dhe stresit gjatë punës”, – ka thënë Kapedani.

Kapedani kërkoi ndjesë për mënyrën sesi është shfaqur, duke pranuar se gabimi i saj i vetëm është publikimi i videove.

“Është sfidë më vete ngarkesa, respektoj afatet e gjykimeve, unë kam përmbushur  me përpikmëri detyrën. Ndonjëherë ka ndodhur që të kem bërë video që i përkasin jetës sime personale, por kurrsesi  me qëllimin për t’i publikuar”, – vijoi ajo.

Ndër të tjera ajo tha se po gjykohet për veshjen dhe shijen e saj muzikore, duke shtuar se videot i ka bërë pasi ka qenë e stresuar.

Kapedani gjatë seancës është përlotur dhe ka shtuar: “Pse po ndëshkohem kaq ashpër, videot private nuk kam pasur qëllim që të bëhen publike”.

Edhe pse ka pranuar se ato video janë tërësisht private dhe absolutisht për t’u publikuar, gjyqtarja iu drejtua ILD-së me disa pyetje: “A keni rezultat mbi punën e gjyqtares Enkeleda Kapedani? Si gjykoj unë, sa zgjat vendimmarrja ime? Kujt i interesonte nga bota e krimit kjo situatë?”.

Ajo ka ngritur edhe një herë dyshimet mbi “mëkatin” e saj.

“Shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë Tik-Tok, Facebook, Instagram, pse po shigjetohem unë, kë kam prekur unë në kallo… Ato video janë tërësisht private, ju lutem zbardheni të vërtetën. Jam gjyqtare profesioniste. Gjithmonë kam besuar në drejtësinë ligjore dhe jam e bindur që do provohet, jam e bindur që në këtë situatë u bëra ‘kokë turku’. Mos lejoni që ethet e klikimeve dhe bota e krimit të ndikojnë tek vendimi juaj, mos sakrifikohem për qëllime të tjera”, – ka vijuar Kapedani.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani në fillim të seancës kërkoi nga KLGJ pezullimin e gjyqtares për shkak se vazhdimi në detyrë, sipas tij diskrediton rëndë figurën dhe pozitën e magjistratit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë