Gjyqtarja e ashtuquajtur e “Tik Tokut”, Enkeleda Kapedani, e bërë e famshme për videot e saj në rrjetet sociale, ka zgjedhur të mbrohet vetë para Vettingut këtë të hënë dhe të mos marrë avokat.
KPK e pyeti gjyqtaren e pezulluar, nëse ishte shkelje etike publikimi i disa videove në rrjetet sociale. Ajo tha se “duke iu referuar një vendimi të KPA-së për një gjyqtare të Apelit, e cila prej një viti nuk paraqitet në detyrë, KPA vlerësoi se çështjet e etikës i takojnë KLGJ-së dhe jo Vettingut”.
Kapedani tha se KLGJ ende s’ka marrë vendimin nëse ka apo jo shkelje etike. “ILD ka kërkuar pezullim dhe KLGJ është shprehur se nuk jemi përpara rastit kur gjyqtari ka cenuar rëndë figurën e gjyqtarit dhe i ka kthyer pas dosjen ILD ta plotësojë”, tha ajo.
Kapedani tha se derisa ILD të gjejë prova, ajo u pezullua që të mos ndikojë në marrjen e këtyre provave.
“Ju kujtoj se KLGJ e rrëzoi kërkesën për shkarkimin tim nga detyra”, deklaroi Kapedani. Sipas saj, ILD deri sot nuk ka mbledhur ende prova kundër, që ajo të kthehet prapë për gjykim në KLGJ.
Kapedani nënvizoi se jeta e saj profesionale mori një goditje shumë të rëndë në një kohë shumë të shkurtër pas publikimit të atyre videove.
“Çdo gjë m’u kthye kundër. Shpreh bindjen se veshja dhe preferencat muzikore nuk kanë ndikuar në detyrën time dhe ushtrimin e saj me integritet, dinjitet dhe bazuar në ligj. Këta të pakënaqur përdorën jetën time personale dhe ngritën dyshime mbi atë që unë përfaqësoj”.
Pavarësisht nga mundi dhe sakrifica, Kapedani shtoi se “papritur u gjenda përballë një gjyqi popullor me pasoja shumë të rënda për shëndetin tim, karrierën dhe familjen time”.
Ajo iu drejtua trupës së KPK-ë me një kërkesë: “Ju lutem, mos më gjykoni për veshjen dhe muzikën. Kam dhënë prova se jam një gjyqtare e patrembur dhe shërbëtore e ligjit. Fatkeqësisht më ndodhi të jetoj në një shoqëri, ku imorali bën moral”, tha ajo.
Ndërkohë, për sa i takon pasurisë, gjyqtarja e Elbasanit, ka një shtëpi të blerë me kredi, por ndërsa iu kërkua llogari për përdorimin e një makine, ajo tha se e ka deklaruar.
Blerja e një mjeti tip kamion nga bashkëjetuesi në vlerën e 9.5 milionë lekëve dhe shitur 32 mijë euro, ishte një nga gjetjet e KPK-së.
Kapedanit iu kërkua shpjegime edhe për shuarjen e dënimit të Viktor Ymerit, për të cilin gjyqtarja solli prova se nuk ishte ajo që kishte ndryshuar dënimin e përjetshëm, por një trupë e vjetër gjyqësore.
“Në lidhje me çështjen Viktor Ymeri më keni drejtuar tre pyetje. Dua t’ju sqaroj njëherë e mirë, duke qenë se kjo çështje po më përndjek. Nuk është e vërtetë, unë nuk kam liruar asnjë të dënuar të përjetshëm. Këtij shtetasi ja ka ndryshuar dënimin e përjetshëm Gjykata e Apelit të Durrësit që ia ktheu në 25 vjet burgim. Kur kjo çështje erdhi tek Enkeleida Kapedani, nga provat që sollën në gjykatë, atij i kishin mbetur vetëm 1 muaj e 23 ditë”, sqaroi ajo.
Ndërkohë, në 7 qershor, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pezullimin nga detyra të gjyqtares së Elbasanit deri në fund të hetimeve. Pas deklaratave të saj këtë të hënë,, pritet që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK-shkalla e parë e Vettingut) të dalë me një vendim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.