Gazeta Si – Një banesë e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike është zbuluar në Vlorë, ndërsa u arrestua një 37-vjeçar dhe u shpall në kërkim një tjetër.
Policia thotë se i arrestuar është personi që kishte në përdorim këtë banesë për të kultivuar bimët narkotike ndërsa në kërkim është shpallur pronari i saj.
Banesa u zbulua gjatë një operacioni në lagjen “1 Maji”, ku brenda shtëpisë u gjetën 160 pajisje elektrike (stabilizator energjie), 236 llampa elektrike, 10 aspiratorë, 5 filtra ajri si ato që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe 10 bidona plastik me substanca kimike për bimët.
Gjithashtu, u gjetën një sasi kanabisi të ndarë në 14 doza, municion luftarak dhe një kallëp lënde plasëse (tritol) me kapsollë detonatore të vendosur dhe fitil zjarrëpërcjellës të montuar. Nën hetim është vënë edhe një 16 vjeçar, të cilit iu gjet një sasi kanabisi që ia kishte blerë 37 vjeçarit të arrestuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



