Ka ndodhur

Video/ Vlorë, pranga dy të rinjve që shisnin mina me telekomandë për 10 mijë euro

Gazeta Si - Dy persona janë arrestuar në Vlorë, pasi tentuan të shisnin mina me telekomandë për llogari të një grupi kriminal kundrejt çmimit 10 000 euro.

Të arrestuarit janë shtetasit B. U., 31 vjeç dhe A. Q., 21 vjeç, të dy lindur në Pukë dhe banues në Tiranë.

Ata akuzohen për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

"Pas lokalizimit dhe prangosjes së këtyre shtetasve, në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik ndaj tyre, i gjetën 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro", - njofton policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mina të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë