Tirana është mposhtur nga Kukësi me rezultatin 0-2 në sfidën e zhvilluar në “Selman Stërmasi” të vlefshme për javën e 19-të të Kategorisë Superiore. Ndeshja u vendos nga golat e Ibraimit në minutën e 17-të nga penalltia dhe Vesel Limajt në sekondat e fundit të lojës. Tirana u zgjua në minutat e fundit të pjesës së parë dhe i shkoi dy herë pranë golit të barazimit, me anë të sulmuesit të talentuar Ernest Muçi, i cili në një rast gaboi në finalizim e më pas pa që shtylla t’i mohonte golin. Pjesa e dytë ishte e vakët dhe me më pak ritëm, gjithsesi Kukësi ia doli të menaxhojë mirë avantazhin minimal dhe në minutat shtesë gjeti edhe golin e dytë, duke mposhtur kështu Tiranën 0-2 dhe duke marrë tre pikë mjaft të vlefshme në një transfertë të vështirë.
Partizani ka marrë tre pikë me shumë vlera në ditën e sotme teksa ka thyer në transfertë Kastriotin me rezultatin, 0-3. Të kuqtë rikthehen në këtë formë te suksesi pas dy barazimeve radhazi, teksa vazhdojnë ndjekjen e Vllaznisë kryesuese, duke qenë gjashtë pikë larg kryesuesve. Të kuqtë kanë shumë arsye për të festuar, që nga tri pikët, goli i parë të Zhuniorit, debutimi i Ferhan Hasanit apo që janë të pamposhtur në vitin 2021.
Vllaznia rikthehet te fitorja, pasi mposhti me rezultatin 1-0 skuadrën e Apolonisë. Në një terren të rrëshqitshëm për shkak të temperaturave të ulëta dhe reshjeve të dëborës në “Loro Boriçi”, shkodranët vuajtën jo pak në qarkullimin e topit, megjithatë edhe në ato pak raste të krijuara në pjesën e parë, portieri Harizaj ishte gjithmonë gati për të ndërhyrë.
Takimi u zhbllokua në pjesën e dytë, kur pas një krosimi në zonë, ishte qendërmbrojtësi Dajan Shehi që kërceu mbi të gjithë dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së fierakëve, ndërsa deri në fund të ndeshjes të dy skuadrat patën mundësi shënimi, por nuk i shfrytëzuan, duke bërë që tre pikët të mbeten në Shkodër.
Bylisi-Laçi ishte një ndeshje plot tension, me dy kartonë të kuq. Kurbinasit ia dolën të fitojnë me rezultatin 0-1 falë një goli të shënuar nga Renato Malota. Nwabueze dhe Carkanji ishin lojtarët e ndëshkuar me kartonë të kuq.
Një skenë e shëmtuar dhune është regjistruar në minutën e 63-të, një moment i paprecedentë, që pritet të ketë pasoje të rënda dhe dënime shembullore nga Komisioni i Disiplinës. Gjithçka nisi me ndëshkimin e Kiryan Nwabuze me të kuq dhe në afërsi të tribunës ka nisur konflikti. Teksa takimi ishte mbërthyer në barazim pa gola, në një moment tensioni mes të dy skuadrave, ishte sulmuesi kurbinas Kyrian Nwabueze ai që goditi me grusht një nga kundërshtarët, ndërsa për pak sekonda fusha e futbollit u shndërrua në një arenë boksi, pasi u përfshinë në sherr lojtarë të të dy skuadrave, bashkë me pankinat respektive. Arbitri u mundua të vendosë rregull, pasi ra tensioni dhe përjashtoi nga fusha e lojës sulmuesin Nwabueze e mesfushorin ballshiot Xhoi Carkanji, ndërsa vetëm pak minuta pas rifillimit të ndeshjes, ishte mbrojtësi Renato Malota që shënoi golin e avantazhit për Laçin.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 19
Tirana-Kukësi 0-2
Shënues: Ibraimi (pen.) 17′, Limaj 90+4′
Kastrioti-Partizani 0-3
Shënues: Junior 65′, Asani 77′, Cardoso 83′
Vllaznia-Apolonia 1-0
Shënues: Shehi 57′
Bylisi-Laçi 0-1
Shënues: Malota 69′
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.